Studimi ndërkombëtar: Rrezatimi nga një skanim CT në fëmijëri e rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit

Ekspertët shpjegojnë se rreziku është i ulët, mirëpo bëjnë thirrje që mjekët ta shmangin abuzimin me teknikën dhe t’i rregullojnë dozat për aq sa është e mundur.

Në kontekstet mjekësore, rrezatimi mund të jetë thikë me dy tehe. Është një mjet jashtëzakonisht i dobishëm terapeutik dhe diagnostikues për trajtimin dhe shërimin e shumë sëmundjeve, por gjithashtu mund të jetë i rrezikshëm për trupin nëse ekspozimi ose dozat janë shumë të larta: Rrezatimi shkakton mutacione dhe ndryshime në ADN-në e qelizave që mund të shkaktojnë kancer.

Mjekët që e përdorin këtë teknikë e përcjellin një ekuilibër midis rreziqeve dhe përfitimeve. Marrë parasysh rreziqet, mjekët janë mësuar t’i rregullojnë udhëzimet dhe t’i rregullojnë dozat për t’i minimizuar rreziqet dhe për t’i maksimizuar përfitimet. Megjithatë, nuk ka gjë të tillë si rrezik zero kur bëhet fjalë për rrezatim.

Një studim i ri ndërkombëtar i udhëhequr nga shkencëtarët e ISGlobal në Barcelonë, Spanjë, kontribuon në prova shtesë të ndikimit të ekspozimit ndaj rrezatimit, madje edhe në doza të ulëta: Hulumtimi sugjeron që rrezatimi nga një tomografi e kompjuterizuar (CT) e fëmijërisë rrit rrezikun e zhvillimit të një tumori hematologjik. I botuar në revistën Nature Medicine, studimi i lartcekur vlerëson se, për çdo 10,000 fëmijë të ekzaminuar duke përdorur këtë teknikë, një ose dy mund të vuajnë nga kanceri i gjakut në 12 vitet e mëvonshme si rezultat i këtij ekspozimi. Ekspertët theksojnë se rreziku individual është i ulët, por përfundimet e tyre kërkojnë rritjen e ndërgjegjësimit të mjekëve për të mos abuzuar me teknikën dhe për t’i kontrolluar sa më shumë nivelet e ekspozimit.

Të gjithë janë të ekspozuar ndaj sasive të vogla të rrezatimit në jetën e tyre të përditshme, nga toka, gurët, uji, materialet e ndërtimit… Askush nuk kursehet nga i ashtuquajturi rrezatim i sfondit natyror. Por në një kontekst mjekësor, dozat janë zakonisht më të larta se nivelet e rrezatimit në mjedisin natyror. Për shembull, një radiografi e gjoksit është e barabartë me ekspozimin e një dite ndaj rrezatimit natyror të sfondit; një skanim CT i kafkës është i ngjashëm me rrezatimin e sfondit tetë muaj, dhe një skanim CT i barkut është i njëjtë me rreth 20 muaj.

Asnjë nga këto rrezatime nuk është i padëmshëm. Komuniteti shkencor e ka ditur prej kohësh se ekspozimi ndaj dozave të larta të rrezatimit jonizues është një faktor rreziku për zhvillimin e tumoreve hematologjike si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. Për këtë arsye, profesionistët mjekësorë i monitorojnë nga afër udhëzimet dhe janë të kujdesshëm që të mos e teprojnë; doza të moderuara konsiderohen të jenë mbi 100 miligray (njësia matëse e dozës së rrezatimit të përthithur nga trupi), ndërsa dozat e larta kalojnë 1 gray. Në fakt, radiologët ndjekin në mënyrë rigoroze parimin ALARA (aq e ulët aq sa mund të arrihet).

Megjithatë, rreziqet aktuale për fëmijët dhe adoleshentët nga ekspozimi ndaj dozave të rrezatimit të përdorura në skanimet CT, të cilat zakonisht janë nën 100 miligray, kanë qenë prej kohësh “të pasigurta” dhe një temë debati midis shkencëtarëve, theksojnë studiuesit e ISGlobal për ta shpjeguar qëllimin e tyre kërkimore.

“Skanimet CT janë procedura që janë përdorur që nga fundi i viteve 1970 dhe janë një sistem fantastik për monitorimin e patologjive. Me zhvillimin e kësaj teknike, ka gjithnjë e më shumë aplikime… 15 vjet më parë, ne pamë që përdorimi i saj ishte rritur dhe vendosëm të bëjmë një ndjekje, sepse dozat [rrezatimit] janë më të larta se ato të një radiografi normale. Ky studim nuk ka për qëllim të shkaktojë alarm, por përkundrazi të vlerësojë rreziqet dhe të gjenerojë të dhëna për të siguruar që pacientët të mbrohen”- thotë Elisabeth Cardis, shefe e Grupit të Rrezatimit në ISGlobal dhe koordinatore e studimit.

Studiuesit e ISGlobal i kanë analizuar të dhënat nga gati një milion njerëz nga nëntë vende evropiane, të cilët iu nënshtruan skanimeve CT para se t’i mbushnin 22 vjeç. Me informacionin e disponueshëm, shkencëtarët u përpoqën t’i rindërtonin historitë e tyre radiologjike për ta vlerësuar dozën e rrezatimit të zhytur nga palca e eshtrave të tyre. Pas kryqëzimit të të dhënave me regjistrat e vdekshmërisë dhe kancerit, studiuesit gjetën një lidhje midis dozave totale të rrezatimit të palcës kockore nga skanimet CT dhe rrezikut të zhvillimit të kancerit të gjakut. Rezultatet treguan se një skanim aktual CT errit rrezikun e zhvillimit të tumoreve malinje me 16%.

Shkencëtarët e ISGlobal thonë se, vitet e fundit, protokollet pediatrike janë përshtatur për t’i reduktuar dozat e përdorura te pacientët pediatrikë dhe i kanë përmirësuar udhëzimet për këtë lloj testi mjekësor. Por “ka ende më shumë që mund të bëhet”- thotë Cardis.

“[Skanimi] mund të optimizohet më tej për t’i reduktuar dozat dhe për ta ruajtur cilësinë e mirë të imazhit. Ne këshillojmë që mjekët dhe radiologët të jenë më të vëmendshëm: Ata duhet të kërkojnë një skanim CT kur është e nevojshme, por gjithashtu duhet të shikojnë nëse ka alternativa”.

Cardis jep shembullin e patologjive që kërkojnë disa skanime CT në një periudhë të shkurtër kohe për ta monitoruar një sëmundje; në raste të tilla, imazhet me rezolucion të lartë mund të mos nevojiten për të monitoruar sëmundjen dhe doza e rrezatimit mund të reduktohet.

‘Nuk ka nevojë për alarm’

Megjithatë, studiuesja Cardis këshillon kujdes dhe refuzon çdo alarm që mund të shkaktojnë përfundimet e studimit të saj: “CT është një mjet i domosdoshëm që përdoret sepse ka rreziqe më serioze për shëndetin. CT shpëton jetë. Është e nevojshme [për mjekët] ta llogarisin rrezikun dhe përfitimin sepse përfitimi mund të jetë shumë domethënës, dhe rreziku është në rënie sepse dozat janë ulur ndjeshëm. Nuk ka nevojë të shqetësoheni shumë”,/El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala