Një studim i 500,000 të dhënave mjekësore i ndërlidh viruset me sëmundjen e Alzheimer  

Një studim i rreth 500,000 të dhënave mjekësore ka sugjeruar se infeksionet e rënda virale, të tilla si encefaliti dhe pneumonia e rrisin rrezikun e sëmundjeve neurodegjenerative si Parkinson dhe Alzheimer.

Studiuesit gjetën 22 lidhje midis infeksioneve virale dhe kushteve neurodegjenerative në studimin e rreth 450,000 njerëzve.

Njerëzit e trajtuar për një lloj inflamacioni të trurit të quajtur encefaliti viral kishin 31 herë më shumë gjasa për ta zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit. (Për çdo 406 raste të encefalitit viral, 24 vazhduan të zhvillonin sëmundjen e Alzheimerit – rreth 6 përqind.)

Ata që u hospitalizuan me pneumoni pasi u kapën nga gripi dukej se ishin më të ndjeshëm ndaj sëmundjes së Alzheimerit, demencës, sëmundjes së Parkinsonit dhe sklerozës laterale amiotrofike (ALS).

Infeksionet e zorrëve dhe meningjiti (të dyja të shkaktuara shpesh nga një virus), si dhe virusi varicella-zoster, i cili shkakton herpesin, u implikuan gjithashtu në zhvillimin e disa sëmundjeve neurodegjenerative.

Ndikimi i infeksioneve virale në tru vazhdoi deri në 15 vjet në disa raste. Dhe nuk kishte raste kur ekspozimi ndaj viruseve ishte mbrojtës.

Rreth 80 për qind e viruseve të implikuar në sëmundjet e trurit konsideroheshin ‘neurotrofike’, që do të thotë se mund të kalonin barrierën gjak-tru.

Në vitin 2022, një studim me më shumë se 10 milionë njerëz e lidhi virusin Epstein-Barr me një rrezik 32-fish të rritur të sklerozës së shumëfishtë.

“Pasi e lexuam [këtë] studim, ne kuptuam se për vite shkencëtarët kishin kërkuar – një nga një – lidhjet midis një çrregullimi neurodegjenerativ individual dhe një virusi specifik”- ka thënë autori Michael Nalls, neurogjenetik në Institutin Kombëtar në Plakja në SHBA.

“Pikërisht për këtë vendosëm të provonim një qasje të ndryshme, më të bazuar në shkencën e të dhënave”- shton ai. “Duke i përdorur të dhënat mjekësore, ne ishim në gjendje të kërkonim sistematikisht për të gjitha lidhjet e mundshme në një fotografi”.

Së pari, studiuesit i analizuan të dhënat mjekësore të rreth 35,000 finlandezëve me gjashtë lloje të ndryshme sëmundjesh neurodegjenerative dhe e krahasuan këtë me një grup prej 310,000 kontrollesh që nuk kishin sëmundje të trurit.

Kjo analizë dha 45 lidhje midis ekspozimit viral dhe sëmundjeve neurodegjenerative, dhe kjo u ngushtua në 22 lidhje në një analizë të mëvonshme të 100,000 të dhënave mjekësore nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë që ky studim vëzhgues retrospektiv nuk mund ta demonstrojë një lidhje shkakësore, ai e shton grumbullin e kërkimeve që lë të kuptohet për rolin e viruseve në sëmundjen e Parkinsonit dhe Alzheimerit.

“Çrregullimet neurodegjenerative janë një koleksion sëmundjesh për të cilat ka shumë pak trajtime efektive dhe shumë faktorë rreziku”- thotë bashkëautori Andrew Singleton, neurogjenetik dhe studiues i Alzheimerit dhe drejtor i Qendrës për Alzheimerin dhe Dementitë e ngjashme.

“Rezultatet tona e mbështesin idenë se infeksionet virale dhe inflamacionet e lidhura me sistemin nervor mund të jenë faktorë rreziku të zakonshëm – dhe ndoshta të shmangshëm – për këto lloje të çrregullimeve”./Science Alert

Ky studim është publikuar në Neuron.

Përgatiti: Nuhi Shala