Rreziku nga shembja e dheut

Investitori Nexhmi Kastrati, i cili po bën ndërtimin e banesave në rrugën “Qamile Jaka” në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, ku të hënën ishte shembur dheu, është pajisur me leje të ndërtimit vetëm gjashtë ditë para se të ndodhte ngjarja.

 

Kastrati është investitor bashkë me kompaninë “Shala-XH”, ndërsa është pajisur me leje me datën 7 maj të këtij viti, ndërsa kishin aplikuar me 27 shkurt.

Pronari i kompanisë “Shala – XH”, Xhemajl Shala, i kontaktuar nga KALLXO.com, ka thënë se ata nuk janë përgjegjës për shembjen e dheut.

“Ne nuk jemi përgjegjës. Nuk ka arsye pse me i ndërpre punimet, incidenti nuk ka të bëjë fare me punën tonë. Shtëpitë përreth kanë me u rrënu pasi nuk ka banorë aty. Punimet kanë me vazhdu normalisht”, ka thënë Shala në përgjigjen e tij.

Një qytetar i cili punon në një zyre në këtë lagje dhe i cili deshi të mbetej anonim, tha se punimet për hapjen e gropës kanë filluar rreth një muaj e gjysmë më parë, kurse ai vet ka vendosur të largohet aty, pasi nuk ndihet i sigurtë.

“Kam vendosë me u largu. Nuk më ka thënë askush, por unë vet nuk po ndihem i sigurtë. Në këtë objekt nuk ka jetuar askush, punimet për hapjen e gropës ka rreth një muaj e gjysmë që kanë filluar të bëhen”, ka thënë ai.

“Në këtë rrugë e cila gjendet në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë para tre ditëve pati rrëshqitje të dheut. Fillimisht, drejtori i Inspeksionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, tha se dyshohet për pëlcitjen e gypit të ujësjellësit. Më vonë kompania e ujësjellësit “Prishtina” e demantoi Tahirin, duke thënë se gypi kishte pëlcitur rreth një orë e gjysmë pasi kishte rrëshqitur dheu. Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se kushdo që e ka shkaktuar dëmin do të jap përgjegjësi”.

Zyrtarja për media në komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se rasti është ende në proces.

“Gjithë rasti është ende në proces, kur i marrim përfundimet e rezultateve, i mbledhim faktet e i bëjmë publike”, ka thënë shkurtimisht Mullafazliu.

Ajo nuk ka qenë në dijeni se punimet për hapjen e gropës kanë filluar një muaj e gjysmë para se të jepej leja e ndërtimit.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë, kishte akuzuar kryetarin Ahmeti se është përgjegjës për shembjen e dheut, ku kishin kërkuar dorëheqjen e të parit të Prishtinës.