Banorët e fshatit Vrellë të Istogut të rrezikuar nga përçuesit elektrikë të dëmtuar - FOTO

Disa përçues dhe një shtyllë elektrike në rrugën “Qazim Hakaj”, të fshatit Vrellë në Istog, janë dëmtuar dhe kjo po paraqet rrezik për banorët e kësaj zone.

Të martën, nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) kanë thënë se do ta sanojnë problemin sa më shpejt që është e mundur.

Një qytetar ka dërguar disa fotografi në adresën e KALLXO.com, në të cilat shihet se përçuesit elektrikë pothuajse kanë rënë në tokë.

Sipas qytetarit ka një kohë që ka ndodhur kjo, mirëpo nuk është sanuar problemi.

Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS, ka bërë të ditur për KALLXO.com se kanë pranuar një kërkesë lidhur me këtë çështje.

“Dëmtimi i shtyllës, bashkë me përçuesit elektrikë, ka ardhur si rezultat i kushteve atmosferike. Ekipet e KEDS-it do të rregullojnë shtyllën e dëmtuar dhe përçuesit elektrikë në kohën më të shkurtër të mundshme, me qëllim të evitimit të çfarëdo rreziku eventual” – ka shkruar në përgjigjen e tij, Krasniqi.

Si përfundim, Krasniqi ka informuar se një ekip i tyre ka dalë në vendin e ngjarjes për të bërë vlerësimin e gjendjes së shtyllës dhe përcjellësve elektrikë.