‘Çdo 5 vjet Kosova mund të goditet nga tërmeti deri në 5 shkallë të rihterit’

Nisur nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë këtë të hënë, në emisionin #KallxoPernime është diskutuar për tërmetet dhe kapacitetet e Kosovës karshi kësaj dukurie.

Shemsi Mustafa nga Instituti Sizmik i Kosovës ka thënë se Kosova mund të goditet nga tërmetet çdo 5 vjet.

“Në agjencinë tonë, jemi dy zyrtarë sizmologë, andaj edhe kapaciteti ynë për studime është shumë i kufizuar. Si obligim e kemi të bëjmë studime mikrosizmike, sidomos në zonat urbane ku planifikohet të bëhen ndërtime të larta. 5.0, 5.5 shkallë të rihterit është ndër mesatare. Faktikisht Kosova u goditë nga tri tërmete, në 2002, tërmeti goditi Gjilanin, Istogun në 2010-ën dhe Vushtrrinë në vitin 2013. Kjo tregon që brenda 13 vjetëve në Kosovë ndodhën tri tërmete me magnitudë deri në 5.7 shkallë të rihterit saqë harta e jep që probabiliteti i këtyre ngjarjeve, çdo 5 vjet mund të ndodhin tërmete në Kosovë e jep me një përqindje 72% por nëse e marrim këtë, faktikisht doli qind për qind’’, ka thënë Mustafa.

Ndërtimet ilegale në Prishtinë rrezikohen nga tërmetet pasi që prishjet e mureve dhe shtyllave të këtyre banesave mund t`i rrezikojnë ato.

Kreshnik Gashi, nga Kallxo.com ka thënë se janë dhjetëra ndërtesa ku muret dhe strukturat janë prekur për t`i shndërruar ato në restorante, kafiteri e lokale afariste.

“Kemi shumë ndërtesa të vjetra në Prishtinë që kanë ndërhyrje në strukturë, pra ka mbindërtim. Nuk ka strukturë në Prishtinë, që është banim kolektiv e nuk ka ndërhyrje, qoftë e kanë adaptu bodrumin e kanë bërë banesë, e kanë shtu një terasë, e kanë shtu një mbi kulm, qoftë e kanë bërë një banesë, restoran a lokal”, ka thënë Gashi.

Eksperti i sizmologjisë, Shemsi Mustafa ka thënë se disa struktura të ndërtesave në kryeqytet, mund të jenë të rrezikuara.

“Kemi kërkuar që të bëhen studime mikrosizmike pasi që kjo do të bënte të ditur amplifikimin e dheut. Shumë ndërtesa në Kosovë mund të rrezikohen nga ndonjë termet me 6.5 shkallë të rihterit”, ka thënë Mustafa.

Në emisionin #KallxoPernime u fol edhe për studimet mikrosizmike të cilat janë të domosdoshme për zonat urbane, pra aty ku planifikohet ndërtim i lart.

Ai ka shtuar se këto studime nuk janë bërë e as nuk po bëhen.

Por për të bërë këtë studim duhen miliona euro, e për të cilat nga panelistët u tha se Qeveria nuk e ka as në planet e saj këtë gjë.

Florin Grajçevci, ekspert i inxhinierisë së ndërtimit dhe profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, ka thënë se objektet që kanë ulur standardet e ndërtimit mund të pësojnë më së shumti në rast të tërmeteve, të cilat mund ta godasin Kosovën.

Megjithatë ai ka shtuar se ndonëse mund të ketë tërmete në Kosovë, nuk mund të jenë të intensitetit sikurse ky i fundit në Turqi.

“Objektet e larta, por edhe shtëpitë në Kosovë, janë të ndërtuara pa projektin e sizmikës, dhe për këtë institucionet shtetërore duhet të kenë parasysh që këto objekte duhet të rivlerësohen në kuptimin e stabilitetit, sa i përket sizmikës”, ka thënë Grajçevci.

Ai ka shtuar se studim të mikrosizmikës Prishtina ka bërë vetëm për lagjen Ulpiana dhe Komuna e Gjilanit vetëm për një lagje.

 

Mbi 300 mijë objekte pa leje në Kosovë

Në emisionin #KallxoPernime u fol edhe për ndërtimet pa leje në Kosovë. Kreshnik Gashi, nga Kallxo, ka thënë se shteti i Kosovës nuk është duke reaguar sa i përket këtyre ndërtimeve.

“Fatkeqësia më e madhe është që në Kosovë janë mbi 300 mijë objekte pa leje të cilat nuk kanë ndonjë pranim teknik. Madje shteti vazhdon t`i lejoj qytetarët të jetojnë në ato ndërtesa të pasigurta. Ata që janë duke na qeverisur nuk e kanë prioritet këtë gjë”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se diskotekat e sallat e dasmave janë të papërgatitura për emergjenca. Gjithashtu sipas Gashit ndërtesat ku mbahen organizimet kolektive në Prishtinë rrezikohen në rast të krizave emergjente.

“Objektet ku zhvillohen manifestime të ndryshme publike, nuk e kanë vlerësimin e rrezikut as të sigurisë së zjarrit, nuk i kanë daljet emergjente. Diskotekat, vendet ku mbahen dasmat, shfaqjet, spitalet, shkollat, qoftë edhe stadiumi, nuk kanë dalje emergjente. Ne ende nuk e kemi dikë që ka shku në burg për shkak se në një diskotekë është duke u mbajtur një ngjarje ku ka ndodh një fatkeqësi, ka vdekur dikush, është lënduar dikush për shkak se njerëzit janë shty”, ka thënë Gashi.

Këtë konstatim të Gashit e ka konfirmuar edhe Nehat Koqina nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.

“Ne e kemi obligim ligjor që t`i kontrollojmë banesat për dalje të emergjencave në fazën projektuese të tyre. Nuk e kemi një numër të gjobave për projektuesit apo komunën që kanë bërë ndërtesa pa dalje emergjente megjithatë kemi pasur raste”, ka thënë Koqina.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, në fund të 2022-ës ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në Kuvend kishte folur për numrin objekteve pa leje në Kosovë.

Aliu tha se në Kosovë janë mbi 350 mijë ndërtime pa leje duke shtuar se vetëm në Prishtinë janë mbi 40 mijë të tilla.

“Jemi në situatën që 352 mijë objekte në Kosovë janë pa leje, veç Prishtina i ka 46 mijë objekte pa leje. Mbi 75 për qind të ndërtimeve në komunën e Prishtinës edhe në gjithë Kosovës që është edhe më lartë, janë pa leje” – kishte thënë ai Aliu.

Më tej, ministri tha se Lagjja e Medresesë në Prishtinë është krejtësisht me ndërtime pa leje.

“Lagjja e Medresesë në Prishtinë është totalisht me ndërtime pa leje dhe Komuna e Prishtinës ka bo një plan dhe ka paraparë rrugë të gjera, që në atë lagje të rrënojë të gjitha ato ndërtesa pa e pas gjendjen faktike se si realizohet. Ky ligj është vazhdimësi dhe për me ndryshu na duhet kohë” – u shpreh Aliu.

Aliu: Mbi 350 mijë objekte në Kosovë janë pa leje

 

Ekipi i mundjes së Kosovës u ndihmoi të prekurve nga tërmeti në Turqi

Gjithë bota është tmerruar nga tërmeti që ndodhi këtë të hënë në Turqi duke lënë të vdekur mbi 21 mijë persona. Në kohën kur ndodhi tërmeti ekipi i mundjes së Kosovës gjendej në Turqi.

Ata ishin duke u bërë gati që të niseshin për në Kosovë por u detyruan të lënë gjithçka prapa vetes në hotelin e tyre në Kahramanmarash të Turqisë, për t’i shpëtuar tërmetit të fuqishëm që goditi këtë vend.

Në një lidhje me viber për emisionin #KallxoPernime, trajneri, Ziber Xhoni ka thënë se hoteli ku ata kishin qëndruar nuk ishte dëmtuar. Ekipi i përbërë nga 6 veta, u kanë ndihmuar edhe viktimave të cilët kishin mbetur nën rrethoja.

“Hoteli ynë ka qenë 8 kate, i cili është i vetmi objekt në atë rrethinë që ka shpëtuar. Ne kemi nxjerrë persona të cilët kishin mbetur nën rrënoja, kuptohet pa ndonjë masë mbrojtëse”, ka thënë Xhoni.

Ai më tej ka shtuar se kanë qëndruar në vendin ku ndodhi tërmeti përreth 6 orë duke iu ndihmuar të prekurve nga kjo fatkeqësi natyrore.

Ekipi i mundjes i Kosovës – i udhëhequr nga trajneri Ziber Xhoni dhe mundësit Fatlum Braka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni – kishte udhëtuar drejt Turqisë për të marrë pjesë në turneun dyditor “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes.

I gjithë ekipi ishte i vendosur në tri dhoma të ndryshme në hotelin e tyre në Kahramanmarash dhe Fazlija thotë se ata ishin bashkuar shpejt në korridor, pasi u zgjuan nga zhurmat e shkaktuara nga tërmeti.

 

6 ekipe të FSK-së në Turqi

Safer Isufaj, kolonel në Forcën e Sigurisë së Kosovës në emisionin #KallxoPernime njoftoi se disa ekipe do të udhëtonin për në Turqi, për t`u dalë në ndihmë personave të prekur nga tërmeti.

“Gjatë ditës kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ushtrinë turke. Ne duke pasur kërkesën zyrtare nga ushtria turke do t`i dërgojmë dy ekipe të kërkim shpëtimit urban, dy ekipe mjekësore për reagim emergjent dhe dy ekipe të tjera”, ka thënë Isufaj.

Ushtarët e Kosovës e nxjerrin të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës dyvjeçar

FSK-ja, në të kaluarën i kishte dalë në ndihmë edhe Shqipërisë kur tërmeti goditi disa qytete të asaj pjese.