KFOR-i në veri, 29 maj 2023 Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?

Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës, në katër komuna me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar. Derisa përpjekjet për të qetësuar gjendjen nga ndërkombëtarët kanë filluar, një varg ngjarjesh ndodhen në veri të vendit gjatë shtatë ditëve të fundit.

Katër komunat me shumicë serbe në veriun e vendit përbëjnë rreth 17% të tërë territorit të Kosovës. Që nga paslufta, rajoni ka mbetur në një gjendje të ngrirë pothuajse, pasi autoritetet nuk arritën të shtrijnë ligjin plotësisht asnjëherë. Kështu, zona u kthye në një burim të problemeve të sigurisë.

Së fundmi, Kosova u bë lajm në mediat ndërkombëtare pikërisht për situatën e sigurisë në veri.

Mesditën e së premtes, më 26 maj, në katër qytetet me shumicë serbe në veriun e vendit u dëgjua alarmi i sigurisë. Tingulli ka një mesazh të qartë për serbët lokal në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ata duhet t’i përgjigjen thirrjes për organizim dhe dalje në rrugë – kështu ka ndodhur çdo herë në veri të vendit.

Derisa në komunën e Mitrovicës së Veriut nuk u panë të grumbullohen, në tri komunat tjera, serbët e asaj zone po kundërshtonin vendosjen e kryetarëve të komunave në objektet komunale.

E gjithë situata e krijuar së fundmi, nisi disa muaj më parë.

Katër kryetarët e komunave në veri të vendit, më 6 nëntor 2022 kishin dhënë dorëheqje pasi Lista Serbe, partia më e madhe e këtij komuniteti në Kosovë, kishte vendosur që t’i bojkotoi institucionet e vendit. Përveç kryetarëve të komunave, ishin dorëhequr edhe gjyqtarët dhe prokurorët serbë nga sistemi i dritësisë e gjithashtu edhe policët kishin braktisur uniformën.

Arsyeja, siç u tha, e të gjitha dorëheqjeve ishte një vendim i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa vendore.

Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për datën 18 dhjetor 2022.

Por, pas rekomandimit të ndërkombëtarëve, zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishin shtyrë për datën 23 prill 2023.

Zgjedhjet pa zgjidhje

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale. Sipas institucionit që organizon zgjedhjet në Kosovë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq ndërsa Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe në Zubin Potok.

KQZ tha se dalja në zgjedhje ishte vetëm 3.47% dhe nuk pati ndonjë incident të madh.

Partia Lista Serbe, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje tek serbët lokal që t’i bojkotojnë ato. Thirrje për të bojkotuar procesin zgjedhor në katër komunat e veriut të Kosovës bëri edhe Beogradi zyrtar.

Në anën tjetër, disa nga përfaqësuesit diplomatik në Kosovë, Ambasada e ShBA-së, Francës, Gjermanisë e Britanisë së Madhe, përshëndetën mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por, megjithatë, theksuan daljen e ulët të qytetarëve në zgjedhje.

Vendosja e kryetarëve të zgjedhur në zyre, me probleme

Katër kryetar shqiptar u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Më 26 maj 2023, forcat e policisë u angazhuan që të u sigurohet hyrja e kryetarëve të zgjedhur nëpër zyrat e tyre të reja të punës. Por, serbët lokal kundërshtuan hyrjen e kryetareve të ri në objektet e komunave.

Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdorë edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.

Në një komunikatë zyrtare, Policia e Kosovës tha se pesë policë u lënduan, katër vetura u dëmtuan të policisë, njëra prej të cilave u dogj. Ndërsa, sipas forcave të rendit, u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, nën përcjellje të policisë e mes tensionesh, kryetarët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, pasditen e së premtes u futën në zyrat e punës.

Policia me njësite speciale vazhdoi qëndrimin pranë objekteve komunale edhe gjatë ditëve të tjera, të shtunën dhe të dielën. Por, e gjithë situata e tensionuar prodhoi reagime të ashpra.

Reagimet e para erdhën nga Beogradi zyrtar, ku ministri i Mbrojtjes tha se ka marrë një urdhër nga presidenti, Aleksandar Vuçiq që forcat ushtarake të vihen në gjendje gatishmërie dhe të njëjtat të vendosën në zonën administrative me Kosovën.

Intervenimin e Policisë së Kosovës e dënuan edhe Ambasadat e shteteve të fuqishme në Kosovë dhe zyra e Bashkimit Evropian, po ashtu. Madje, reagim pati edhe sekretari i shtetit të Amerikës, Antony Blinken. Të gjitha reagimet kishin një të përbashkët, kërkonin që Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti të ndalojë veprimet dhe të tërheq policinë nga zonat afër komunave në veri.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rajiq, në Zveçan
Foto: KALLXO.com, 29 maj 2023

Të hënën më 29 maj, në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë serbë ishin mbledhur sërish pranë objekteve komunale në tre komunat e veriut të vendit. Ata do të kundërshtonin sërish futjen e kryetarëve shqiptar në objektet e komunave.

Për dallim nga dita e premte, në veri prezencën e kishte shtuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Derisa kundërshtimi i serbëve lokal vazhdonte në veri të vendit, Ambasadorët e vendeve evropiane dhe ai i ShBA-së, kishin nis përpjekjet për ta bindur kryeministrin Kurti që veprimet përmes policisë të ndalonin dhe situata të qetësohej.

Përpjekjet e ndërkombëtarëve nuk patën sukses të hënën. Gjatë të së njëjtës ditë, përplasje mes protestuesve, që Policia e Kosovës i quan grupe kriminale, dhe ushtarëve të KFOR-it ndodhën. Për pasojë, rreth 30 ushtar të misionit të NATO-s u lënduan, në mesin e tyre italian dhe hungarez. Më vonë, tre nga ushtarët u konfirmua se ishin të plagosur nga arma e zjarrit.

Sulme ndaj gazetarëve

Që nga 26 maji, kur nisën protestat e serbëve në veri të vendit, rreth 20 sulme ndaj punonjësve të medias u regjistruan.

Të dhënat i konfirmoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Disa gazetarë u sulmuan fizikisht ndërsa disa veturave të mediave iu thyen xhamat dhe iu shpërthyen gomat. Në mesin e mediave kishte edhe gazetarë dhe ekipe nga Shqipëria, të cilët po ashtu u sulmuan.

Dy gazetarë të BIRN ishin në mesin e disa gazetarëve nga mediat shqiptare dhe serbe të ngecur për orë të tëra në një kafene në komunën e Zveçanit me shumicë serbe më 30 maj, pasi protestat u bënë të dhunshme.

Situata në veri, 29 maj 2023
Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Në situatën e krijuar, reagime erdhën nga të gjitha anët. NATO mori vendim që 700 trupa të reja të dislokohen në Kosovë.

Reagime të tjera pati nga Sekretari Amerikan, Blinken i cili kërkoi nga Qeveria e Kosovës që Policia e Kosovës të tërhiqet nga objektet e komunave dhe kryetarët e zgjedhur të punojnë nga lokacione te tjera, që tensionet të ulen.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier tha të martën më 30 maj se, Forca e Sigurisë së Kosovës është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ‘23” dhe kjo ishte vetëm njëra nga masat dhe sanksionet që do t’i bëhen Kosovës, nëse nuk dëgjon këshillat e ndërkombëtarëve.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti në një intervistë për CNN Internacional tha të martën se nuk do të lejoj që veriu i Kosovës të dirigjohet nga struktura ilegale, duke iu referuar grupeve të serbëve që po organizojnë protesta në veri.

Reagime pati edhe nga opozita në Kosovë. Partitë më të mëdha opozitare kërkuan nga Kurti që të shtensjonojë situatën dhe të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, bë veçanti me SHBA-në.

Së fundmi, një kërkesë e qartë erdhi nga Bashkimi Evropian. Presidentja Osmani zhvilloi një takim me presidentin Aleksandër Vuçiq në Moldavi. Nga atje,  ku të pranishëm kanë qenë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, Kosovës iu kërkua që të organizoi zgjedhje të reja për katër komunat e veriut të vendit.

Zgjedhjet e parakohshme në veri së fundmi i përmendi edhe kryeministri, Albin Kurti, pas telefonatave nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan.

Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.