Pamje nga Seminari i shqipes 2023. Foto: KALLXO.com.

Albanologët paralajmërojnë rrezik për shqipen e folur në diasporën historike shqiptare

Varietetet e shqipes së folur në ngulimet e hershme shqiptare në disa vende evropiane, si: në Itali, Zarë të Kroacisë, Ukrainë, Greqi, Siri, Turqi, etj., rrezikohen të harrohen nga folësit e saj.

Studiuesit e shkencave të albanologjisë përmendin disa faktorë për rrezikun që ballafaqohet shqipja e folur, sidomos në diasporën e hershme shqiptare. Por, kryesorja, sipas tyre është mos mbështetja e duhur nga institucionet shtetërore të Kosovës e Shqipërisë. Veçmas në mbajtjen gjallë të Departamenteve të shqipes në disa universitete evropiane.

Për rrezikun e shqipes, por edhe sfidat dhe probleme me të cila përballet sot gjuha shqipe, është diskutuar dhe gjatë sesioneve të gjuhësisë në kuadër të edicionit të sivjetëm të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare.

Edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbajtur punime nga 14 gushti deri më 25 gusht 2023 në Prishtinë.

Gjatë prezantimit të studimeve të tyre gjatë seminarit, studiuesit kanë shpalosur gjendjen e shqipes së folur nga folësit e saj, në disa vende evropiane.

Ku rrezikohet shqipja?

Albanologët kanë vënë theksin në rrezikun që ballafaqohen varietetet e shqipes në diasporën më të e vjetër të shqipes, në Itali, Zarë e gjetiu.

Studiuesi Bardh Rugova, drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturës Shqiptare ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se shqipja e folur e diasporës historike shqiptare ka rrezik të harrohet nga shqipfolësit. Sipas tij, në rrezik janë të folmet e arbëreshëve në Itali, në Zarë të Kroacisë, Siri, Greqi, etj.

Ai thotë rreziku i gjuhës shqipe është indiferenca jonë shoqërore dhe atë në disa rrafshe. Rrafshi i parë, sipas tij, është ai i mos trajtimit, ose mos angazhimi për mbrojtjen dhe ruajtjen e varieteteve të shqipes, sidomos në diasporë ose të kolonive të hershme.

“Po na vdes arbnishtja e Zarës, gati është në grramat e fundit shqipja e Bullgarisë në Mandricë, po na vdes shqipja në Ukrainë, arvanitija tash e një kohë, po na vdesin plotë varietete të arbëreshëve të Italisë, shqiptarëve të Turqisë, në Siri, e kështu me radhë, të gjitha para syve tanë në një periudhë kur ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kushtet për të bërë  më shumë për to”- tha Rugova në një prononcim për KALLXO.com.

Rugova thotë se nuk po punohet sa duhet për katedrat (departamentet) e shqipes që janë në shtetet e tjera.

“Një element tjetër që është për t`u shqetësuar është se ne nuk kemi projekte të mëdha të cilat duhet të mbështeten dhe kanë nevojë për investime shtetërore, pra për shqipen. Për më keq, ne kemi një gramatikë që nuk i përmbush as përafërsisht kërkesat teorike të kohës”- ka pohuar Rugova duke përmendur dhe shkaqe tjera.

Diaspora shqipe në Itali e Ukrainë

Studiuesja arbëreshe nga Kalabria, Emilia Confori (Konfori), bashkëpunëtore shkencore në Universitetin e Kalabrisë (Kozencë) në Itali, në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se rreziku ka prekur edhe të folmet arbëreshe në Itali, edhe pse sipas saj, atje po bëhet një punë e mirë për ruajtjen e të folmeve të shqipes.

“Problemet janë të rënda, koha ka ndryshuar dhe tani nuk e kemi martesën brenda fshatit, pasi më nuk i kemi martesat e tilla, martesat në mes arbëreshëve, por tani janë të përziera, ndoshta italianë apo tjerë dhe për atë arsye fëmijët nuk kanë shumë mundësi të falsin arbërisht në shtëpi”- tha ajo, duke shtuar se dikur një arbëresh më parë mësonte arbërishten e më pas italishten, tani ndodhë e kundërta.

Shqipja e folur është në rrezik edhe tek shqiptarët e Ukrainës. Studiuesja Aleksandra Dugashina, profesoreshë në Universitetin shtetëror në Shën Peterburg në Rusi dhe kërkuese shkencore pranë Akademisë Ruse të Shkencave ka thënë në një bindëse për KALLXO.com se shqiptarët e Ukrainës nuk kanë një traditë të shkrimit të dialektit të tyre në gjuhën shqipe.

“Natyrisht që rrezikohet shqipja e shqiptarëve të Ukrainës. Shqipja flitet nëpër shtëpitë dhe familjet, por nuk ka një traditë të shkrimit në dialektin e shqiptarëve të Ukrainës. Vetëm disa poetë e intelektualë kanë shkruar diçka por ato janë për përdorim privat të një rrethi të vogël”- tha Dugashina, duke përmendur punët që kanë bërë dhe po bëjnë intelektualë nga fshati Karakurt i Ukrainës për të mbajtur gjellë gjuhën e shqiptarëve të Ukrainës.

Diaspora shqiptare, sidomos ajo në Itali dhe Ukrainë e kanë ruajtur gjuhën e folur për shekuj me radhë.