Reagon Hajdar Beqa, i bën thirrje prokurorisë ta hetojnë vëllain e tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa ka reaguar pas transmetimit të hulumtimit ‘Drejtësia në Kosovë’ që përfshinte vëllain e tij.

Hulumtimi tregon se si një biznesmen nga Gjakova pretendon se Hasan Beqa, vëllai i deputetit të PDK-së Hajdar Beqa, i ka kërkuar aksione në kompani për t’i hapur rrugë marrjes së një kontrate nga komuna e Gjakovës.

Hajdar Podrimaj ka provë një mesazh në telefon ku kërkohet dëshmia se aksionet janë bartur në emër të Hasan Beqës.

Në takimet e filmuara shihet Hasan Beqa dhe Hajdar Podrimaj duke biseduar që në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ nuk duhet të përmendet emri i deputetit Hajdar Beqa.

Sipas të vëllait, Hajdar Beqa ka lidhje të mira me gjyqtarët dhe se nëse e përmendim “mund të na bën ndonjë padi.

Pas emisionit të mbrëmshëm, Beqa ka reaguar duke thënë se ai nuk ka të bëjë asgjë me këtë proces dhe se dy biznesmenët kanë keqpërdorur emrin e tij.

“E them me përgjegjësi morale e juridike, që unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë proces, dhe dy personat e ashtuquajtur biznesmen kanë keqpërdorur emrin tim. Une i bëj thirrje Prokurorisë se sa më shpejtë që është e mundur ta hetojnë këtë rast”, shkroi ai.

Ai po ashtu tha se emri tij është përmendur me qëllim të njollosjes së personalitetit të tij.

“Sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë” me qëllim të njollosjes së personalitetit tim, pa të drejtë mu përmend emri im, kinse unë kam ndikuar në prishjen e një ankandi, në të cilin pretendojnë që vëllau im paska tentuar të bëhet aksionar”, shkroi ai në Facebook.

‘Drejtësia në Kosovë’, hulumtimin e ka realizuar në bazë të të gjitha standardeve të gazetarisë hulumtuese dhe pa qëllim të njollosjes së askujt.

Më poshtë mund të gjeni emisionin e plotë:

 

18 Maj 2019 - 11:16

Kreshnik Gashi 18/05/2019 - 11:16
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend