Zv.ministri i FSK-së - Foto: Facebook

Ramadani reagon ndaj deklaratave të Vuçiqit, Daçiqit dhe Gjuriqit

Zëvendësministri në Ministrinë e Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka kritikuar lidershipin e Serbisë për mohimin që janë duke ia bërë krimeve që trupat serbe i kanë kryer në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Sipas tij, mohimi i krimeve që kanë ndodhur është edhe më i rëndë sesa ekzekutimi i krimeve të reja.

“Mohimi i krimeve është më shumë sesa ekzekutimi i krimeve të reja. Dhe, këtë po e shohim nga lidershipi i Serbisë. Vuçiqi, Daçiqi dhe Gjuriqi po mohojnë krimet anembanë Kosovës, te kryera gjatë viteve 1998-99, të cilat u patën ndalur për shkak të intervenimit humanitar më të suksesshëm në histori, intervenimit të NATO-së”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një shkrim të publikuar në portalin serb B92 citohet të ketë thënë se nuk ka dëshmi që në Reçak forcat serbe kanë bërë krime.

“Nëse fillojmë me Reçakun, kemi nga atje analiza që nuk ka pasur krime që mund të kenë çuar në një agresion të tilë. Institucionet legale nuk e kanë konfirmuar kurrë dyshimin se në fshatin Reçak ndodhi diçka e tillë apo në ndonjë fshat tjetër të Kosovës’, ka thënë ai.