Kështu dukej Qendra për Punë Sociale në Prishtinë deri në ditën kur raportoi KALLXO.com – Foto: KALLXO.com

Punë Sociale nën Erën e Kanalizimit

Objekti i Qendrës për Punë Sociale te “Qafa” në Prishtinë, në të cilin punojnë 15 punonjës socialë dhe trajtohen mesatarisht 30 palë në ditë, është lënë në gjendje të mjerueshme.

KALLXO.com ka siguruar fotografi, në të cilat shihet gjendja e rëndë e kësaj Qendre, me mure të plasaritura, rrjedhje të ujit dhe kanalizimit.

Këto probleme janë konstatuar gjatë vizitës së kësaj Qendre, e cila menaxhohet nga Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës.

Sipas zyrtarëve të Komunës problemi ka lindur pas rrjedhjes së ujit nga banesat sipër objektit.

“Është e vërtetë që problemi është paraqitur tash e disa muaj. Duke qenë se katet lart janë banesa individuale, nga momenti i parë i raportimit nga QPS-ja ne kemi thirrë inspektoratin dhe ujësjellësin dhe ca persona teknikë brenda Komunës”, ka thënë Arben Vitia drejtor i Shëndetësisë.

Sipas tij, problemi qëndron në pamundësinë e inspektoratit për të konstatuar se nga vjen uji.

“Ata kanë bërë disa herë kontrolle në katet lart, por në njërën nga këto banesa që dyshohet se ka pasur renovim, disa herë ka shkuar inspektorati por pronarët nuk kanë qenë në banesë”, ka thënë Vitia.

Ai kashtuar se Komuna së shpejti do investojë në sanimin e problemit.

“Në bashkëpunim me drejtoritë e tjera dhe me kryetarin Shpend Ahmeti, jemi duke u munduar të gjejmë një lokacion tjetër. Është vështirë për shkak se kemi pak objekte të Komunës, por ne e marrim me urgjencë këtë punë dhe në momentin e gjetjes të lokacionit tjetër ne do ta zhvendosim aty”, shtoi ai.

Qendra për Punë Sociale në Prishtinë – Foto: KALLXO.com
Qendra për Punë Sociale në Prishtinë – Foto: KALLXO.com
Qendra për Punë Sociale në Prishtinë – Foto: KALLXO.com
Qendra për Punë Sociale në Prishtinë – Foto: KALLXO.com