Ilustrim: Prangosja e një të dyshuai - Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat për të cilët janë lëshuar aktvendimet janë V. M. dhe V. M., të cilët dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion.

Gjithashtu, sipas Prokurorisë, personat për të cilët është lëshuar aktvendimi dyshohen se në mënyrë të kundërligjshme e kanë caktuar si menaxher për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, njërën nga të punësuarat përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.

Prokuroria thotë se në koordinim Policinë është duke i vazhduar hetimet për këtë rast.