Foto: Atdhe Mulla

Pozita nuk Voton, Opozita Lëshon Seancën

As në tentativën e tretë deputetët e partive në pushtet nuk morën pjesë në votimin e rekomandimeve të propozuara nga VV dhe LDK, pas përfundimit të interpelancës së Kryeministrit për rritjen e pagave.  Kësisoj deputetët e opozitës lëshuan sallën.

Kryesuesi, Xhavit Haliti i ktheu në votim tri herë rekomandimet e propozuara nga LDK dhe VV, por edhe pse në sallë ishin mbi 80 deputetë, ata të partive në pushtet nuk morën pjesë në votim.

Këtu reagoi Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, tha se Kryeministri u ka kërkuar të mos votojnë.

“Kryeministri shkoi te Zenun Pajaziti [PDK] me ju kërku [deputetëve] mos me marrë pjesë në votim. Kjo është mbytje e republikës parlamentare, s’ka të drejtë mu përzi te deputetët”, tha ajo.

Më pas kryesuesi Haliti tha se kjo nuk është shkelje, ngase Kryeministri këtë kërkesë mund ta bëjë edhe në foltore.

Këtu reagoi edhe shefi i GP LDK, Avdullah Hoti, i cili tha nuk ka kuorum normal për vazhdimin e seancës, pasi deputetët nuk po votojnë.

“Seanca nuk duhet të vazhdojë pa u votu kjo pikë [rekomandimet e LDK-së dhe VV-së].  Nga ky moment ne asnjë ligj se votojmë, as për as kundër, as hiç”, tha Hoti.

Kryesuesi Haliti i qiti në votim për herën e tretë rekomandimet e opozitarëve, por përsëri nuk votuan deputetët e pozitës.

Nga 82 deputetë sa ishin në sallë, votuan vetëm 47. Nga ta 44 ishin për, 2 kundër dhe 1 abstenoi. Kësisoji deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes e lëshuan sallën.

Haliti tha se standardi i prezencës së deputetit, për mos-marrje pjesë në votim është vendosur gabimisht.

“… si praktikë është vendos gabim, idhnohemi kapak po ndoshta na kalon”, tha ai.

Kësisoj seanca përfundoi, por pa u caktuar dita e vazhdimit të saj.

Këto janë rekomandimet e propozuara nga LDK dhe VV: