Abazi për mungesën e pozitës: A është duke i koordinu dikush veprimin e radhës me Radoiçiqin apo çka është fjala këtu?

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka kritikuar mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Abazi tha se LVV-ja me mos prezencë po e saboton vetën dhe veprimin e pozitës po e vlerëson si vetëgoditje, vetërrëzim e dorëzim para vetëvetes.

“Nëse jeni t`u e pa vërtetë që pozita për të satën herë e saboton vetën. Kjo në demokraci sidomos në atë parlamentare është njëfarë vetëgoditje, vetërrëzm dhe dorëzim para vetëvetes, sepse edhe po të jetë e vërtetë ajo që është duke përgatitë një paketë ligjore, amandamentim të ligjit për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësorë e jetësor, për policët kjo nuk është metoda sepse janë metoda të ulëta që tre vite pas kur një parti opozitare, pjesë e demokracisë, nëse doni quane të korruptuar ose të kriminalizuar, nëse doni lejani fajin për gjithçka, ama guximin me ikë prej demokracisë nuk mundet me pasë kërkush”- tha Abazi.

“Sidomos ju ata që kanë gjuajtë gaz lotësjellës e kanë godit shtetin me molotov, ka pasë të vrarë për kauza të rrejshme, dalin blejnë lule të Holandës për me i qitë në varrezat e policëve të vrarë, e ju përqafin anëtarët e familjes kur vriten ata, për poena politik e për fotografi të Facebookut, por kur vjen puna për debat përmbajtjesorë demokratik për avansimin e sektorit të sigurisë, nuk guxojnë me qenë këtu”- shtoi ai.

Abazi ka pyetur se nëse dikush po i koordinon veprimet e radhës me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, teksa u ka bërë thirrje shumicës të shkojnë në Kuvend të kundërshtojnë rezolutën e opozitës dhe të propozojnë konkretisht se çka po mendojnë.

“A është duke e koordinu dikush veprimin e radhës me Radoiçiqin apo çka është fjala këtu, sepse me shku me i bo fytyrat e mërzitura në varrimet e policëve për me dalë në Facebook, edhe me marrë përkrahje, e mos me guxu me ardhë në parlament me diskutu për rrezikshmërin që kanë ata [policët], për ushtarët e FSK-së, për zjarrfikësit, unë nuk e kuptoj këtë farë pune përveçse është duke u tentu me u bo një kauzë tjetër e rrejshme. Hajdeni rrëzone rezolutën e opozitës dhe propozone çka konkretisht që tri vite jeni konë tu mëndu për këtë punë, për sektorin e sigurisë”- deklaroi Abazi.

Më tej deputeti ka pasur një pyetje edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Meqë kryeministri nuk është këtu se ëshë zënë duke u mundu me i bo tribunat e stadiumeve me thirrë emrin e tij, pytjen publike po e bëj edhe njëherë; përse është tradhëtu Policia e Kosovës dhe është lëshu Radoiçiqi, psi kryeministri ka dalë në media dhe ka thënë se Banjska ka qenë e rrethuar nga forcat policore të Kosovës. Kush ka dhënë urdhër që Radoiçiqi me cubat e tij të ecin maleve të Kosovës e të dalin në Serbi pa asnjë therrë në këmbë”- është shprehur Abazi.

Përmes Rezolutës, PDK me mbështetje edhe nga opozita po kërkon nga Qeveria që të bëj ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

PDK gjithashtu kërkon nga Qeveria që të propozojë buxhetin e nevojshëm për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë.

Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga PDK-ja:

  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërise per Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyre retroaktive nga dita e hyrjes ne fuqi të Ligit 08/L-196 per Pagat në Sektorin Publik (për secilin muai).
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozojë buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë te Republikës se Kosovës, nga data 1 janar 2024.
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtarëve policorë të Policisë se Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit.
  • ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë te përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në sallë të pranishëm janë deputetët e opozitës por jo edhe ata të pozitës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që të mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme edhe pa praninë e 61 deputetëve.