VIDEO - Quni: Kur ne flasim për nevojat elementare të Policisë, mungon mazhoranca

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) Anton Quni ka kritikuar mungesën e pozitës në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e mbështetur nga opozita.

Quni tha se më 24 shtator kur i gjithë spektri politik ishin unifikuar përballë një sulmi terrorist që siç tha ai, po vinte nga territori i Serbisë.

“Më 24 shtator, i gjithë spektri politikë, të gjitha partitë politike ishin shumë të unifikuara përballë një rreziku që vinte nga territori i Serbisë. Të gjithë ishim mirënjohës ndaj Policisë së Kosovës si bartëse kryesore për menaxhimin e asaj situate. Është e ditur se kapacitetet e Policisë së Kosovës nuk janë ngritur vitin e fundit apo gjatë mandatit të qeverisë së fundit, janë investime që nga çlirimi i Kosovës do të thotë mbi dy dekada çdo qeveri ka investu”- tha Quni.

Ai deklaroi se sot kur po flitet për nevojat elementare të Policisë së Kosovës, mungon mazhoranca që sipas tij, nuk shprehin gatishmërinë që edhe nga opozita të dëgjojnë mendime se si të përmbushen nevojat e Policisë.

“Sot kur ne flasim për nevojat elementare, esenciale për pjesëtarët e policisë, në këtu na mungon mazhoranca të cilët verbalisht ishin në përkrahje të pakufizueshme për policinë, por që sot nuk shprehin gatishmërinë që edhe nga opozita të dëgjojnë mendime, kërkesa, këshilla e të tjera  se si do të mundemi nevojat e tyre [Policisë] të i përmbushim”- theksoi Quni.

Më tej, deputeti i LDK-së tha se ai dhe grupi i tij parlamentar i bashkëngjitet dhe mbështetë fuqishëm përpjekjet e deputetëve që siç u shpreh ai “që Qeveria të i marrë në konsideratë urgjente për përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo polici”.

Përmes rezolutës, PDK me mbështetje edhe nga opozita po kërkon nga Qeveria që të bëj ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës.

PDK gjithashtu kërkon nga Qeveria që të propozojë buxhetin e nevojshëm për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë.

Këto janë pikat e rezolutës së propozuar nga PDK-ja:

  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit prej 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërise per Policinë e Kosovës dhe atë, në mënyre retroaktive nga dita e hyrjes ne fuqi të Ligit 08/L-196 per Pagat në Sektorin Publik (për secilin muai).
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që të propozojë buxhetin e nevojshëm – për vitin e ri fiskal 2024, për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë te Republikës se Kosovës, nga data 1 janar 2024.
  • OBLIGON Qeverinë e Republikës së Kosovës që brenda afatit 60 ditor nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm te zyrtarëve policorë të Policisë se Kosovës dhe punonjësit e Inspektoratit.
  • ZOTOHET që shqyrtimin parlamentar të projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, ta bëjë në procedurë te përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.

Kuvendi i Kosovës ka filluar punimet e seancës së jashtëzakonshme për shqyrtimin e propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në sallë të pranishëm janë deputetët e opozitës por jo edhe ata të pozitës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se në mbledhjen e Kryesisë është vendosur që të mbahet kjo seancë e jashtëzakonshme edhe pa praninë e 61 deputetëve.