Policia Ndalon Aksionin në Prapashticë, Arrestohen tre Persona

Tre aktivistë të Vetëvendosjes u arrestuan nga Policia gjatë aksionit të sotëm në Prapashticë të Prishtinës.

Aktivistët nuk mundën që ta zbatojnë planin e tyre për ta vendosur pankartën me mbishkrimin “Isa Ranch, Shiti Pronat Tua Jo të Kosovës” para shtëpisë së kryeministrit në këtë fshat pasi u penguan nga policia.

16:37

Policia e Kosovës ka ndaluar një aksion të Vetëvendosjes në fshatin Prapashticë të Prishtinës, pak metra larg shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Gazetarja e KALLXO.com nga vendi i ngjarjes raporton se njësiti special i policisë ka vendosur kordon në rrugën që çon te shtëpia e kryeministrit në fshatin e tij të lindjes duke mos i lejuar aktivistët e Vetëvendosjes të shkojnë më tutje.

Në përpjekje për të depërtuar, një aktivist i Vetëvendosjes është arrestuar nga policia.

Raportohet se policia ka përdorur sprej ndaj aktivistëve në përpjekje për t’i zmbrapsur ata.

Një pjesëmarrës i aksionit i ka thënë policisë se synimi i tyre është që ta dërgojnë një pankartë ku shkruan “Isa Ranch, shiti pronat tua, jo të Kosovës” para shtëpisë së kryeministrit, por përgjigja që kanë marrë nga policia është se kjo shtëpi është pronë private.

15:13

Policia Ndal Aktivistët e Vetëvendosjes në Rrugë Drejt Prapashticës

Një veturë e patrullës së policisë bashkë me dy furgonë të njësisë speciale kanë ndaluar gjashtë automjetet e aktivistëve të Vetëvendosjes dhe nuk po i lënë të kalojnë.

Ata janë ndalur te vendi i quajtur Stallovë, afër rrugës që çon në fshatin Koliq, nja 25 kilometra larg Prishtinës

Aktivistët janë nisur drejt fshatit Prapashticë, vendlindjes së kryeministrit Isa Mustafa, për një aksion në kundërshtim të themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje e cila pritet të nënshkruhet gjatë takimit të sotëm në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi.

Me vete, këta aktivistë kanë të shkruar parullën “Isa Ranch, shiti pronat tua, jo të Kosovës”.

14:35

Vetëvendosje në Aksion në Fshatin e Isa Mustafës

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë nisur drejt fshatit të lindjes së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për një, siç e kanë quajtur, aksion simbolik.

Gjatë ditës së djeshme, Gazeta Jeta në Kosovë zbuloi se kompania e Besnik Mustafës, djalit të kryeministrit, ka fituar një kontratë nga Zyra e Kryeministrit për servisimin e veturës zyrtare të Kryeministrisë.