PDK-së i largohen dy asamblistë në Malishevë

Rizgjedhja e Isni Kilajt në pozitën e të parit të degës së PDK-së në Malishevë, ka rezultuar të jetë një nga arsyet për largimin e dy asamblistëve të kësaj partie.

Kastriot Berisha dhe Florentina Zulfaj-Gashi, janë dy asamblistët e Komunës së Malishevës nga radhët e PDK-së të cilët kanë lajmëruar së po tërhiqen nga grupi i PDK-së në Kuvendin e Komunës së Malishevës dhe se do të veprojnë të pavarur brenda kuvendit komunal.

Sipas Berishës i cili bëri të ditur në rrjetin social ‘Facebook’, arsyeja e largimit nga PDK është edhe nga pakënaqësitë me politikat që po ndjek kjo parti.

“Dështimi total në arritjen e objektivave të premtuara si: Reformimin e formimin e nëndegëve (jo që nuk u angazhu nëpër fshatra e nëndegë të reja, por edhe i ka manipuluar delegatët e imponuar si anëtar kryesie të punës me 56 veta! (Persona të klanit të tij) Poashtu dështimi në prurje të kuadrove të reja. Ky kryetar i degës në prezantimin e punës së degës as njëherë të vetme nuk e paraqiti punën e asamblistëve para organeve qendrore të PDKsë, por vetem si punë të tij! Që nuk u interesua seriozisht, por, vetëm në mënyrën ma aventuriere të keqe”, thuhet në njoftimin e asamblistit.

Berisha në publikimin e tij kishte folur edhe në emër të kolegës së tij, Florentina Zulfaj – Gashi.

KALLXO.com ka provuar që të marr një konfirmim nga ajo lidhur me vendimin për largimin nga PDK, por e njëjta nuk ka dashur të pronocohet.

Në anën tjetër, Isni Kilaj thotë së ky largim i dy asmblistëve ka ndodhur për shkak të pakënaqësive të tyre në përzgjedhjet e tij si kryetar i degës së PDK-së në Malishevë.

Pasi që sipas Kilajt, Berisha ishte përkrahës i kundërkandidatit të tij, Fatmir Shurdhaj.

“Pakënaqësitë kanë ardh kur jam zgjedh unë si kryetar ne zgjedhjet e brendshme që kanë qenë shumë transparente dhe demokratik. Asamblisti Kastriot Berisha ka qenë përkrahës i njërit nga tre kundër kandidateve të mi, Fatmir Shurdhajn po gjithmonë del veç një fitues edhe kjo është arsyeja që ata janë largu. Është çështje e tyre individuale. Ajo ka qenë garë e brendshme po me konkurrencë. Asamblistja duket se ka qenë edhe ajo e pakënaqur”, u shpreh ai për KALLXO.com

KALLXO.com ka raportuar së më 5 maj Isni Kilaj është rizgjedhur kryetar i PDK-së në Komunën e Malishevës, ndërsa në të njëjtën kohë është zëvendësministër në Ministrinë e Diasporës.

Isni Kilaj ka qenë kryetar i Komunës së Malishevës, ndërsa sot është  zëvendësministër  i Ministrisë së Diasporës.

Komuna e Malishevës udhëhiqet nga Ragip Begaj nga NISMA.