Ujësjellësi (Ilustrim). Foto: Kallxo.com

PDK: Në fshatrat e Fushë Kosovës ende nuk ka furnizim me ujë nga ujësjellësi

Komuna e Fushë Kosovës do të furnizohet për herë të parë me ujë nga fabrika e Ujit në Shkabaj, u bë e ditur në një njoftim të ujësjellësit gjatë ditës së sotme pasi u tha se është bërë testimi i rrjetit të instaluar së fundmi.

“Ju njoftojmë se, përgjatë testimit me furnizim me ujë një pjesë për disa sekonda do të ketë ujë të turbullt si rezultat i rrjedhjes së ujit në kahjen e kundërt, por pas pak gjithçka do të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtinës.

Për këtë njoftim të ujësjellësit ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Fushë- Kosovë, të cilët kanë thënë se në fshatrat e Fushë- Kosovës, ende nuk ka furnizim me ujë nga rrjeti i ujësjellësit.

Duke shpresuar se ky problem do të zgjidhet për të gjithë qytetarët, kjo parti ka shprehur vlerësim ndaj KUR “Prishtina” dhe ndaj mbështetjes financiare të Ministrisë së Financave për rrjetin e ujësjellësit, por ka thënë se nuk shpreh mirëkuptim ndaj Komunës së Fushë Kosovës për vonesat që ka shkaktuar, duke mos ndarë mjetet për implementimin më të shpejtë të këtij projekti.

“Partia Demokratike uron qytetarët e Fushë Kosovës për ujin e pijshëm, ndonëse në shumë fshatra gjatë ditës së sotme ka pasur mungesë të furnizimit më ujë nga rrjeti i ujësjellësit. Duke shpresuar se ky problem do të zgjidhet shpejt, shprehim vlerësimin tonë ndaj KUR Prishtina për përpjekjet e vazhdueshme si dhe ndaj Ministrisë së Financave për ndarjen e mjeteve, që qytetarët tanë të mos mbesin edhe më tutje pa ujë”, thuhet në njoftim.

PDK ka thënë se nuk kanë mirëkuptim ndaj Komunës së Fushë Kosovës për vonesat që  i ka shkaktuar në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit, duke mos i ndarë mjetet për të cilat ishte e obliguar.

“PDK nuk shpreh mirëkuptim ndaj Komunës së Fushë Kosovës, pasi ajo është shkaktare për vonesat në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit, sepse nuk i ndau mjetet të cilat obligohej t’i paguante”, thuhet në reagim.

PDK e Fushë Kosovës edhe më herët kishte reaguar në lidhje me problemin e ujit të pijshëm.

Kryetari i degës së PDK-së në Fushë Kosovë, Rrahim Ternava, gjatë një vizite në KUR Prishtina,  kishte fajësuar komunën për mos ndarjen e mjeteve për rrjetin e ujësjellësit.