Lampard: Do të ishte turp për Chelsean nëse do ta humbiste Hazardin

Ish-mesfushori legjendar i Chelseas Frank Lampard ka folur për largimin e mundshëm të sulmuesit belg Eden Hazard nga ‘Blutë e Londrës’.

Lampard i cili edhe ka luajtur së bashku me Hazardin, ka thënë se belgu për shtatë vite qëndrim te Chelsea e ka ngritur vetën si njërin prej lojtarëve më të mirë në histori të klubit.

“Unë me siguri do të them se në shtatë vitet e fundit që Eden Hazard ka qenë në Chelsea ai e ka ngritur veten në një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e klubit, pa dyshim në aspektin e asaj që ai ka bërë në fushë”, ka thënë ai fillimisht.

Legjenda e Chelseas ka thënë se do të ishte turp për Premierligën dhe Chelsean, nëse do të humbnin një lojtar si Hazardi.

“Do të ishte një turp për Premierligën dhe Chelsean që të humbiste atë. Por ne gjithashtu duhet të kuptojmë dëshirat e individëve në fushë dhe atë që ata duan të bëjnë”, ka cekur ai.

Ish- bashkëlojtari i Hazardit, ka thënë se shenjat janë se Eden është drejt largimit nga Chelsea.

“Unë në fakt nuk e di nëse Hazard do të largohet. Shenjat janë që ai mund të largohet, me sa duket, nëse klubet mund të bien dakord për këtë dhe nëse kjo është ajo që lojtari dëshiron. E njoh Eden dhe më pëlqen dhe unë do të shkoj me atë që ai dëshiron të bëjë”, ka përfunduar Frank Lampard.

Eden Hazard u transferua në Chelsea nga Lille në vitin 2012, dhe pas shtatë viteve qëndrim te skuadra londineze mund të largohet në drejtim të Real Madridit për rreth 100 milionë euro.