Qendra e votimit në Gllanasellë | Foto: KALLXO.com

Mungesë e Komisionarit të AKR-së në Gllanasellë

Një komisionar i AKR-së është duke munguar në vendvotimin 0316e 01r të shkollës “Xhevë Lladrovci” të Gllanasellës.

Këtë komisionar është duke e zëvendësuar kryesuesi i vendvotimit.

Menaxheri i qendrës Mehmet Kurrumeli tha për KALLXO.com se kanë kërkuar një vëzhgues si zëvendësim nga AKR-ja, por kjo parti sipas tij nuk e ka sjellë atë.

Në një komunikatë për medie AKR-ja është ankuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po e saboton procesin e emërimit të vëzhguesve të këtij subjekti.

Shtabi elektoral i AKR-së në Drenas, dyshon se “kjo është bërë me qëllim që më lehtë ti mundësohet partisë në pushtet të keqpërdoren votat e elektoratit të Drenicës”.

Në Shkollën “Xhevë Lladrovci” janë dy vendvotime, ndërsa aty të drejtë vote kanë 1594 persona.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.

Të drejtë vote për të votuar për kryetar kanë 53 mijë votues të Drenasit, ndërsa këto zgjedhje po vëzhgohen nga 853 vëzhgues.