Naim Bazaj | Foto: Facebook

Bazaj: Kisha Marrëveshje me PDK-në për Tërheqje nga Gara e Drenasit

Naim Bazaj, kandidati për deputet i koalicionit PDK-AAK-Nisma tha për KALLXO.com se për tërheqje nga gara për kryetar të Drenasit, vitin e kaluar ishte marrë vesh me PDK-në që të jetë pjesë e listës së saj për deputetë.

“Është e vërtetë se ne kemi pasur një marrëveshje. Unë nuk do të lëshoj pe që të ardhmen të jem kandidat për Kuvend të Kosovës edhe në të ardhmen për kryetar”, tha Bazaj.

Ai më tutje tregoi se nuk ka hequr dorë nga drejtimi i Komunës së Drenasit.

Tregoi për KALLXO.com se është marrë vesh me Kadri Veselin, kryetarin e PDK-së që nëse merr më së shumti vota në Drenas, do të kandidohet për kryetar të këtij qyteti në zgjedhjet e sivjetme lokale.

“Kadri Veseli më ka thënë se nëse del ma i votuari në Komunën e Drenasit atëherë do ta japë mundësinë automatikisht me u kthy (si kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit)”, tha Bazaj.

KALLXO.com kontaktoi sekretarin e përgjithshëm të PDK-së Basri Musmurati për ta pyetur në lidhje me marrëveshjen  e kësaj partie me Bazajn, por nuk mori përgjigje prej tij.

Dy muaj më parë, Bazaj u pyet nga KALLXO.com nëse kishte arritur marrëveshje me PDK-në për tërheqje nga gara për kryetar i Drenasit të cilës i kishte hyrë si kandidat i pavarur.

Atëherë Bazaj tha se për ndonjë marrëveshje të mundshme do të tregonte në qershor.

“Ka qershori mundem me ju tregu çfarë marrëveshje kam pasur me ta(PDK-në)  masi veç po e kërkoni”, kishte thënë Bazaj dy muaj më parë.

Bazaj tregoi se e dinte që  në qershor do të kishte zgjedhje parlamentare.

“E kom ditë, jo veç unë, që do të ketë zgjedhje parlamentare. Koalicioni që ishte nuk po them që nuk kanë pasë mundësi me ba ma tepër, por këta kanë pasë detyrë me zbut papunësinë, jo me e rritë. E kam ditë menjëherë mas zgjedhjeve ( të Drenasit) se do të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Bazaj për KALLXO.com.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit në dhjetor të vitit të kaluar i fitoi kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci, pasi mposhti në balotazh Isa Xhemajlajn e Nismës për Kosovën.