Çerdhja e fëmijëve në Lipjan - Foto: KALLXO.com

Mungesa e Rrymës ‘Mërdhin’ Fëmijët e Çerdhes në Lipjan

Çerdhja publike e Lipjanit është përballur me ndërprerje të rrymës të premten dhe sot.

Ndërprerja e rrymës sipas udhëheqjes së çerdhes së fëmijëve ka ndodhur për dy arsye: njëra se çerdhja nuk e ka paguar faturën e rrymës e tjetra për shkak të disa punimeve për renovimin.

Biha Azemi, drejtoreshë e çerdhes qe 5 ditë, tha për KALLXO.com se është e vërtetë që kanë pasur probleme me rrymë, por se ato janë evituar.

Ajo tha se të premten është ndërprerë rryma shkaku se kanë qenë të kyçur në një renovim.

“Të premten kur i kam thirr (KEDS-in) pse nuk kemi rrymë, më kanë thënë se jeni të kyçur me një renovim që është tu u bo dhe e lëshojmë menjëherë. Mirëpo kanë qenë tu shku fëmijët dhe nuk kom thirr më ma vonë”, tha ajo.

Kurse për sot ajo tha se rryma është ndalur për shkak të mospagesës së një fature.

Sipas drejtoreshës, derisa është lëshuar rryma është përdorur gjeneratori dhe është lëshuar edhe nxehësja.

“Sot nuk është bërë një pagesë por menjëherë e kemi bo pagesën dhe është lëshu rryma. Unë nuk kam qenë e informume por u zgjidh ajo çështje, është bo pagesa dhe rryma është tu funksionu”, theksoi drejtoresha.

Për problemet e çerdhes së fëmijëve me rrymë KALLXO.com u interesua pas një ankese nga një qytetar.

L.K. ka treguar për KALLXO.com se kur e ka marrë fëmijën e tij të premten pasdite ai duart i kishte akull të ftohta.

“Te premten jom shku me marr djalin, kur e kam marr ka qenë shumë i ftoftë, duart akull i ka pasë. Të premten s’di sa s’ka pasë rrymë veç kur kam shku unë me marr në ora 3:30 nuk ka pas rrymë. Të shtunën e dielën nuk e kanë rregullu. Sot kur e çova prapë nuk ka pasë rrymë”, tha prindi i fëmijës.

Ndërsa, të kontaktuar nga KALLXO.com për problemin e rrymës, Komuna e Lipjanit ka thënë se çerdhja është duke funksionuar, ndërsa për problemin me rrymën nuk kanë folur fare.

“Çerdhja është duke punuar dhe janë prezent të gjithë fëmijët, po ashtu çerdhja ka punuar edhe në ditën e premte  po ashtu kanë qenë prezent të gjithë fëmijët”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës.