Vrasja në 'Bon Vivant', të akuzuarit mbrohen në heshtje

Procesi gjyqësor lidhur me vrasjen në lokalin ‘Bon Vivant’, vrasje e cila kishte ndodhur në vitin 2014 po vije drejt fundit. Në këtë rast të akuzuar janë Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

Në seancën e mbajtur sot prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve kanë dhënë fjalët përfundimtare lidhur me këtë rast, pas deklarimit të të akuzuarve se shfrytëzojnë të drejtën të mbrohen në heshtje.

I akuzuari Masar Gërdovci në këtë rast u deklarua se do të mbrohet në heshtje pas konsultimit me avokatin e tij dhe se qëndron prapa fjalëve që i ka dhënë më herët.

“I kam kuptuar të drejtat e mia dhe në konsultim me mbrojtësin tim deklaroj se do të shfrytëzoj të drejtën time te mbrohem në heshtje dhe qëndroj prapa fjalëve që i kam dhanë në rikonstruktim të vendit të ngjarjes dhe nuk kom çfarë të shtoj tutje”- tha Gërdovci.

Se do të mbrohet në heshtje u deklarua edhe i akuzuari tjetër në këtë rast Sherif Krasniqi.

“Po e shfrytëzoj të drejtën të mbrohem në heshtje, s`kam çka shtoj më dhe mbes pranë gjitha atyre çka i kam thënë më herët”- tha Krasniqi.

Në fjalën e tij përfundimtare mbrojtësi i Masar Gërdovcit, Naim Rudari kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza duke e vënë theksin tek pjesa ku nuk është qartësuar momenti i shkrepjes së armës në momentin ku kishte mbetur i vrarë një person.

“Prokurori i shtetit në fjalën përfundimtare u referua dy a tri herë se gishtin e këmbëzës e ka ngreh Masari, por nuk e ka thanë asnjëherë se cili ishte ai që e ka ngreh gishtin e këmbëzës kur ka shkrep arma…. Mbi këtë bazë kërkojmë nga gjykata që këtë çështje ta gjykoj drejtë…, dhe Masar Gërdovcin ta liroj nga kjo aktakuzë”- tha Rudari.

Ndërsa mbrojtësi i Sherif Krasniqit, Haxhi Millaku tha që i mbrojturi i tij nuk kishte armë në dorë ato momente dhe se për këtë është edhe deklarata e Masar Gërdovcit dy orë pas ngjarjes tragjike.

“I mbrojturi im s`ka pasur asnjë armë në dorë…, 2 orë mbas ngjarjes Masar Gërdovci e shpjegon si ka vepruar, si e ka pas (armën) në dorë, si ka shkrepur, por e ka dilemën se ka shkrepur një herë, qëllim ka pas me e  frikësu”- tha Millaku.

Ndërsa në anën tjetër prokuroria kërkoi nga gjykata që pas vlerësimit të rrethanave lehtësuese dhe rënduese të pandehurit t`i shpall fajtor dhe t`i dënoj sipas ligjit.

“Duke i pasur parasysh të gjitha këto dëshmi si dhe prova materiale në këtë shqyrtim gjyqësor vërtetimi i  gjendjes faktike është bërë nga deklarimet e dëshmitarëve dhe gjatë rikonstruktimit të vendit të ngjarjes…, e vërteta është kjo që vërtetohet në bazë të provave dhe me këtë vërtetohet së të njëjtit e kanë kryer veprën penale siç theksohet në dispozitiv të aktakuzës… Kërkoj nga gjykata që pasi t`i vlerësoj rrethanat rënduese dhe lehtësuese të njëjtit t`i shpall fajtor dhe t`i dënoj sipas ligjit”- tha në fjalën përfundimtare prokurori Armend Hamiti.

Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci ishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi ishte dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi, pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndjerit Rrahman Uka.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK