Anulohet seanca për rastin e vrasjes që kishte ndodhur në ‘Bon Viant‘

 

Seanca e paraparë të mbahej sot ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit nuk është mbajtur.

Arsyeja për mos mbajtje ishte mungesa për shkaqe shëndetësore e prokurorit Armend Hamiti.

Seanca e radhës do të mbahet më datën 19 dhjetor të këtij viti.

Kujtojmë që me aktgjykimin e shkallës së parë të datës 18 dhjetor 2020 Masar Gërdovci është dënuar me 18 vjet burgim për vrasje në bashkëkryerje dhe 1 mijë e 500 euro me gjobë për armëmbajtje pa leje, ndërsa Sherif Krasniqi është dënuar me 6 vjet burgim.

Me aktgjykimin e shkallës së dytë të datës 2 prill 2021 është ndryshuar aktgjykimi i shkallës së parë vetëm në lidhje me të pandehurin Sherif Krasniqi të cilit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh.

Gjykata Supreme në përbërje nga kolegji i kryesuar nga Merjeme Memaj dhe anëtarët Nesrin Lushta e Agim Maliqi pas shqyrtimit të kërkesave për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë vlerësuar se çështja penale duhet t’i rikthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Supremja kishte gjetur se gjykata e shkallës së parë të dënuarit i ka shpallur fajtor për vrasje në bashkëkryerje duke e hequr elementin e rrezikimit të  personave të tjerë, mirëpo e njëjta nuk e ka sqaruar mirë se si i pandehuri Shefki Krasniqi ka kontribuar në vrasjen e tani të ndjerit Rrahman Uka.

Gjykata Supreme gjeti se janë të bazuara pretendimet për cenimin e identitetit objektiv në mes të aktakuzës dhe aktgjykimit, sepse të dënuarit janë shpallur fajtor për veprime të cilat thelbësisht dallojnë nga ato për çka janë të akuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur në korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Në lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Nga shkalla e parë e gjykimit, të pandehurit Gërdovci dhe Krasniqi ishin shpallur fajtorë për vrasjen e Ukës.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Ndërsa ndaj të pandehurit Krasniqi, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e 3 muaj burgim.

Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje ishte liruar nga akuza.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK