‘Se këta veç ia kanë ni zanin burgut... e vrave dikë, e vrave veten’ – Gjykimi për tentim vrasjen prek fundin

“Edhe s’kam pasë kurrfarë qëllimi me vra, se e kam cek edhe ma herët. E vrave dikë, e vrave edhe veten. Se këta veç ia kanë ni zanin burgut, nuk e dinë çka asht burgu. Atë gabim mundet me ba veç dikush që s’u kanë në burg kurrë”

Kështu u deklarua para trupit gjykues të Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën e Prishtinës, Ibrahim Qadraku që akuzohet për tentim-vrasje më 20.02.2020.

Sipas prokurorisë, tentim-vrasja kishte ndodhur për shkak të një mos-marrëveshjeje të atëqastshme, me tani të dëmtuarin A.H..

Përveç tentim-vrasjes, ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për asgjësim ose dëmtim të pasurisë, pasi me rastin e tentim vrasjes, akuzohet se kishte shtënë me armë në një veturë pronë të “London Taxi” që kishte qenë e parkuar në vendin ku pretendohet të ketë ndodhur ngjarja.

Në seancën e datës 27.03.2024, prokurori i rastit Armend Hamiti tha se është vërtetuar me provat e paraqitura se i akuzuari e ka kryer veprën penale të tentim vrasjes dhe shtoi se është vërtetuar se qëllimi i të akuzuarit ka qenë vrasja e të dëmtuarit.

“Nuk i besoj kur thotë që nuk e ka pas qëllim me gju. Kthehet prapë (për të dytën herë) dhe merr turr në drejtim të tij. Duke u bazuar në të gjitha këto prova (dëshmitarë, sms, CD), duke shprear se është vetëdijesuar, se nuk është formë e zgjidhjes kjo mënyrë, me një dënim adekuat do ta merr mësimin dhe nuk do ta përsërisë “ – tha mes tjerash prokurori Hamiti.

Prokurori Hamiti në fjalën e tij përfundimtare tha se në mesin e provave ka pasur edhe video-incizim ku shihet i akuzuari që ka tentuar ta vrasë të dëmtuarin.

Qëllimin që ta vriste e mohoi i akuzuari Qadraku para gjykatës, e shtoi se ka dërguar edhe njerëz për t’ pajtuar me të dëmtuarin A.H.

“Zotëri gjyqtar, unë deshta veç pak me shtu, se unë njerëz i kam çu këtij (të dëmtuarit) për me u pajtu. I kam kërku falje para trupit gjykues 100 herë. Këta nuk di qysh po e marrin këto “nuk u pendu”… Jam penduar për rastin që ka ndodh, po ai ka ndodh ma. Tash qysh po mendojnë thellë, veç me i ra edhe në gjujë. Këta qysh po thonë “thellë”, nuk di qysh mu pendu thellë ma ndryshe, veç me ra në gjujë…” – tha i akuzuari Qadraku.

“Edhe s’kam pasë kurrfarë qëllimi me vra se e kam cek edhe ma herët. E vrave dikë, e vrave edhe veten. Se këta veç ia kanë ni zanin burgut, nuk e din çka asht burgu. Atë gabim mundet me ba veç dikush që s’u kanë në burg kurrë. S’kam pasë as motiv, as kurrfarë qëllimi për vrasje. Ajo ka ndodh, e momentit” – tha tutje ai.

I akuzuari Qadraku para gjykatës premtoi se që nuk do të ndodhë më një rast i tillë dhe kërkoi që t’i mundësohet të jetë sa më afër familjes.

“I premtoj gjykatës që nuk ka me ndodhë ma, as nuk ka me ardhë ma kurrë në qit far vendi ku jam, si i akuzuar, as kjo, asnjë vepër penale. Jam mbajtës i familjes, e kam nënën shumë smutë, bile në spital e kam, i ka 80 vjet. Jetoj veç me nënën dhe me motrën. Sa ta kam gjallë edhe naj ditë, kam qenë me qenë afër sajna. Mundesh me verifiku me dokumente, me krejt. I kërkoj falje prapë palës së dëmtuar, po më vjen keq çka ka ndodh, por ajo u ba, nuk ç’bëhet ma.” –  tha tutje i akuzuari.

Avokatja e të akuzuarit Ibrahim Qadraku, Lindita Keqekolla tha se prokuroria nuk ka arritur ta vërtetoj dashjen dhe propozoi që vepra të kualifikohet nga vrasja në tentativë, në lëndim të lehtë trupor.

“Nuk është arsyetuar dashja direkte. Distanca mes klientit tim dhe të dëmtuarit ka qenë shumë vogël. Po të kishte dashur ta vriste, do ta bënte. Nuk ka elemente të kësaj vepre penale. Propozoj që gjykata ex-officio, nga vrasja në tentativë, ta kthejë në lëndim të lehtë trupor, sipas ekspertizës mjeko-ligjore”. – tha avokatja Keqekolla.

Dënim për të akuzuarin kërkoi edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Merita Stublla Emini.

“Ajo që nuk mund të harrohet, është vepra që ka ndodhur. Është vërtetuar, e kemi parë të gjithë se është bërë nga z.Qadraku, e ka pritur me armë, e kanë ndjekur pas për ta vrarë. Sms-të  e mëhershëm tregojnë një urrejtje, mllef, për ta lënduar vërtetë shumë. Në rrethanat në të cilat gjendemi, A.H. nuk ka hak, as hile në këtë çështje. Me mirësi e lusim trupin gjykues, t’i kushtojë kujdes rrethanave rënduese, si tendenca, qëllimi i keq, planifikimi, i ka shkuar drejt tij, pas shpinës” – tha ndër të tjera avokatja Emini.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 29.03.2024 në Gjykatën e Prishtinës, nga trupi gjykues Naser Foniqi – kryetar, Fatime Dërmaku dhe Ertan Sejfulla – anëtarë.

Shënim: Artikulli është edituar më 27.03.2024, në ora 17:21. Është fshirë prapavija për një rast tjetër që është ndërlidhur me njërin nga të dyshuarit, pasi janë siguruar dëshmi se janë pushuar hetimet për të njëjtin. Po ashtu është përmirësuar emri i avokates Lindita Keqekolla, pasi gabimisht është shënuar emri i një avokateje tjetër.