Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com
VIDEO - Aktakuza: Të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit u bartën me veturë të Policisë
6 të pandehurit për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, kanë dëgjuar sot në Gjykatën e Prishtinës akuzat të cilat ua vë në barrë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara po akuzohen se duke vepruar si grup i organizuar kriminal nën udhëheqje të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radojçiqit, me veprimet e tyre inkriminuese kanë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviq, i cili u vra më 16 janar 2018 në veri të Mitrovicës.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në lidhje me të pandehurin Marko Roshiq tha se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Nedelko Spasojeviq, Radeta Basara, Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Zharko Bojiq, dhe se me dashje dhe dijeni ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale – vrasje e rëndë.
Sipas prokurorit, roli i tij konkret para vrasjes së Ivanoviqit ka qenë ta përcjellë çdo lëvizje të tij me veturën e tij.
Me të njëjtën veturë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është përcjellë edhe vëllai i të ndjerit, Mirosllav Ivanoviq.
Sipas prokurorit, kjo veturë është parkuar te restoranti ‘Grej’, pronë e Milan Radojçiqit.
Vetura, tha prokurori, është në pronësi të të pandehurit Marko Roshiq.
Gjithashtu, shtoi prokurori, i pandehuri Marko Roshiq si anëtar i pjesëtarëve të KM 0128, ka marrë pjesë aktive në veprat penale si tentim vrasje, sulme, rrahje në Mitrovicë dhe në lokacione të ndryshme në Mitrovicën e Veriut, gjithnjë duke qenë nën urdhrin e liderit kryesor të grupit kriminal – Milan Radojçiq
Me këtë Prokuroria Speciale po akuzon se Marko Roshiq ka kryer veprën penale – ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Marko Roshiq u deklarua i pafajshëm për veprën penale e cila i vihej në barrë.
Kryeprokurori Isufaj vazhdoi me leximin e aktakuzës edhe për Rade Basaran, për të cilin tha se në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në njësitin e krimeve regjionale në Mitrovicën e Veriut, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues i Policisë, përmes Zharko Bojiqit, ka bashkëpunuar ngushtë me grupin kriminal të Milan Radojçiqit.
Prokurori tha se i pandehuri ka marrë urdhra nga ky grup për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë, provat.
“Është angazhuar nga grupi kriminal për të fshehur gjurmët e krimit dhe t’i seleksionojë rastet nën hetim. Ku në atë rast, pjesëtaret e grupit kriminal të Milan Radojçiqit kanë qenë të dyshuar, nuk i kanë hetuar në mënyrë që të njëjtat të mos barten dhe në përgjithësi të gjitha këto raste të mbeten të pazbuluar me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj”, tha prokurori.
Me këtë Prokuroria po akuzon se Rade Basaran ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari u deklarua i pafajshëm lidhur me veprën penale që i vihet në barrë.
Më tej, kryeprokuroi Isufaj e lexoi aktakuzën edhe për të pandehurin tjetër, Dragisha Markoviq, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Sipas prokurorit, i pandehuri më 16 janar 2018 pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, pa autorizim ka dhënë informacione që përbëjnë fshehtësi zyrtare nga vendi i ngjarjes, me qëllim të publikimit apo të shfrytëzimit të informacionit jashtë Republikës së Kosovës, konkretisht tek autoritetet e Serbisë.
Më këtë, sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës ai ka kryer veprën penale – zbulim i fshehtësisë zyrtare.
Pas leximit të aktakuzës, Dragisha Markoviq u deklarua i pafajshëm për këtë vepër penale.
Kryeprokuroi Isufaj vazhdoi edhe më tutje me leximin e aktakuzës.
“Të pandehurit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në cilësinë e personave zyrtarë më 6 janar 2018, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, nuk i kanë mbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, ashtu që pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilin nuk e kanë siguruar duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në vendin e ngjarjes, duke i dëmtuar provat materiale, e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes, me ç’rast nuk i kanë kryer me dashje detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj. Me këtë kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje”, shtoi ai.
Sipas prokurorit, të pandehurit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 16 janar 2018, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku me qëllim që t’i heqin, fshehin dhe t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të tyre në procedurën zyrtare, kanë manipuluar me provat.
“Kështu që i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte në vendin e ngjarjes, e më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë e fut në xhep e së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes, duke mos siguruar vendin e ngjarjes. Me këtë kanë kryer veprën penale manipulim i provave në bashkëpunim”, lexoi prokurori Isufaj.
Pas leximit të aktakuzës, të akuzuarit Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq nuk e pranuan fajësinë për asnjërën nga këto vepra penale të cilat u vihen në barrë.
Zharko Jovanoviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Kryeprokurori Isufaj tha se i akuzuari Zharko Jovanoviq me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët e tilla, ku më 10.02.2018 gjatë kontrollit në shtëpi dhe në objektet përcjellëse dhe gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, dhe 9 fishekë të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje.
Me këtë, sipas prokurorit, ai ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.
I akuzuari Zharko Jovanoviq e pranoi fajësinë vetëm për këtë vepër penale.
Më pas, kryeprokurori Isufaj vazhdoi me leximin e aktakuzës edhe për Silvana Arsoviqin.
Për të, prokurori tha se anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave në kryerjen e veprës penale.
Sipas prokurorit, në kohën e kryerjes së vrasjes, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e ZSDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u shkyqur nga rryma, me ç’rast i është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë kur kryhet akti i vrasjes.
E njëjta, sipas aktakuzës, më 16 janar 2018, në ora 8:16, menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë ZSDP, ku ka qenë duke punuar si administratore. Po ashtu, Prokuroria pretendon se ajo ka qenë e vetme në zyrë në kohën kur është kryer vrasja.
E akuzuara Arsoviq u deklarua e pafajshme për veprën penale – ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Aktakuza u lexua edhe për Nedelko Spasojeviqin.
Për të, kryeprokurori Blerim Isufaj tha se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale- vrasje e rëndë.
“Ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që kryen vrasjen e Oliver Ivanoviqit, me ç’rast me dashje dhe me dijeni i kanë ndihmuar të dyshuarit të panjohur kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke i krijuar kushte dhe duke mënjanuar pengesat për kryerjen e veprës penale, ashtu që i njëjti i ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të Policisë, ka kontribuar duke i dërguar të pandehurit e panjohur te vetura Opel Astra me të cilën të nesërmen është kryer vrasja e Oliver Ivanoviqit
“Po ashtu në ditën kritike, i pandehuri Nedelko Spasojeviq, së bashku me dy policë kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes – Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtarë, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, ashtu që ka lëvizur me veturën zyrtare dhe në këmbë, edhe pse ka hasur në persona të paautorizuar duke fotografuar dhe duke dëmtuar provat e mundshme në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e tashmë të ndjerit Oliver Ivanoviq”, tha kryeprokurori Isufaj.
“I pandehuri Nedelko Spasojeviq me dashje dhe dijeni ka mbajtur në posedim armë në shkelje të ligjit. Më 23.11.2018 rreth orës 6:30, gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në shtëpinë e të pandehurit Nedelko Spasojeviq janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë e tipit Kallashnikov AK-47, një karikator dhe 106 fishekë, një granatë dore, shufër gome, një tytë për Kallashnikov, jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent”, tha kryeprokuroi Isufaj.
Me këtë Isufaj po akuzon se Nedelko Spasojeviq ka kryer tri vepra penale – ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje.
Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Nedelko Spasojeviq u deklarua i pafajshëm për dy veprat penale, ndërsa për armëmbajtje pa leje e pranoi fajësinë.