Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Vazhdon i mbyllur gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Në një seancë tërësisht të mbyllur për publikun, dëshmitari i katërt në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po u përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari i katërt i identifikuar me kodin 4748, për dy ditë me radhë nën masa mbrojtëse po jepë dëshmi.

Më shumë se dy vjet pasi Hashim Thaçi u arrestua dhe u dërgua në Hagë, gjyqi historik i ish-presidentit të Kosovës dhe tre luftëtarëve të tjerë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit filloi më 3 prill 2023.

Ndërkaq, deri më tani janë dëgjuar katër dëshmitarë pothuajse të gjitha në seanca të mbyllur për publikun.

Në këtë çështje, Prokuroria po pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) publikoi më 27 shkurt 2023 një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në këtë çështje.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Krimet e paraqitura u kryen në disa vendndodhje në Kosovë, Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me pretendimet e Prokurorisë Speciale.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zhvillimet në këtë çështje ku mund t’i gjeni në këtë LINK.