Tenderi për inventar e uli në bankën e të akuzuarit ish-kryetarin e komunës së Kllokotit

 

Sasha Mirkoviq, ish-kryetar i komunës së Kllokotit, tani nënkryetar i komunës, dhe Elbasan Alidema, Beqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq janë ulur në bankën e të akuzuarëve për t`u ballafaquar me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare me tenderë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Sasha Mirkoviq në cilësinë e kryetarit të komunës së Kllokotit ka keqpërdorur pozitën e tij, pasi e ka ditur se inventari i destinuar për objektin e komunës nuk ka arritur në objekt (të komunës), dhe në mënyrë kundërligjore ka formuar komisionin komunal për pranim të atij inventari.

Tutje i akuzuari ka tubuar anëtarët e komisionit dhe i ka detyruar të hartojnë një raport kinse inventari ka arritur në Komunë.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, të akuzuarit Zeqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën, apo autoritetin e tyre zyrtar, duke hartuar një raport që kinse inventari i destinuar ka arritur në objektin e komunës edhe pse e kanë ditur se porosia e njëjtë nuk ka arritur fare.

Prokuroria e Gjilanit akuzon edhe Elbasan Alidemën.

Sipas aktakuzës, Alidema ka keqpërdorur pozitën e tij duke qenë pronar i kompanisë “Metali”, edhe pse nuk e ka dërguar fare inventarin në komunë ka përpiluar faturë kinse në tërësi është përmbushur kontrata.

Aktakuza sqaron se Ministria e Pushtetit Lokal tani të akuzuarit Alidema i paguan shumën prej 29,330 euro.

Tutje në seancë përfaqësuesi i komunës së Kllokotit Dejan Vllajkoviq deklaroi se “Qëndrimi i komunës së Kllokotit është se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk do të kërkojnë kompensimin e dëmit pasi që inventari ka arritur në Komunë”.

Prokurori Arben Kadriu tha se “Mbetem në tërsi pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor dhe se nuk kam çka të shtojë”.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre deklaruan  se mbeten pranë fjalëve hyrëse nga shqyrtimi i kaluar dhe se nuk kanë se çka të shtojnë.

Tutje u dëgjua dëshmitari Përparim Rexhepi, i cili në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale ka qenë shef i prokurimit në komunën e Kllokotit.

Dëshmitari deklaroi se “Unë nuk e di se kush është i autorizuar t`i nënshkruan kontratat në mes komunës dhe operatorëve ekonomik. Të gjitha kontratat unë i protokolloj por kontratën për të cilën bëhet fjalë në aktakuzë dhe e cila ka qenë e lidhur për tender unë nuk e kam parë, atë e kam gjetur vetëm pasi që është inicuar procedura penale në Gjykatë. Kur mungon menaxheri i zyrës së prokurimit e që kam qenë unë, kontratat ka të drejt t`i nënshkruaj organi më i lartë administrativ e që është kryetari i Komunës”, përfundoi dëshmitari Rexhepi.

Ndërsa dëshmitari tjetër Nikolla-Nojkiq, parashtrues i kallëzimit penal, ish-drejtor i Financave në komunën e Kllokotit, tha se “Nga viti 2014 deri në vitin 2017 kam qenë Drejtor i Financave në Kllokot. Në rastin konkret për tenderin e furnizimit të inventarit të komunës pagesa është bërë, por inventari nuk kishte arritur në Komunë”, tha dëshmitari Nojkiq.

Dëshmitari i fundit i cili u dëgjua ishte Sasha Totiq, i punësuar në komunën e Kllokotit si zyrtar për zhvillimin ekonomik.

“Të gjitha dokumentet të cilat hynë dhe dalin nga administrata e komunës marrin numër të protokollit. Gjatë kohës sa unë nuk kam qenë në punë më ka zëvendësuar dikush nga kolegët të cilët i ka autorizuar shefi i administratës, por nuk e di se kush ka qenë zëvendësi im”, tha dëshmitari Totiq.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat e Prokurorisë.

Kjo çështje penale është kthyer në rigjykim nga Apeli me aktgjykimin e saj të datës 18.10.2019 për shkak të shkeljeve procedurale.

Seanca e sotme u shtye për muajin shkurt.