Konfirmohet arrestimi i 8 doganierëve dhe një zyrtari policor
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar 9 zyrtarë shtetërore, duke përfshirë 8 zyrtarë të Doganës së Kosovës dhe një zyrtar policor.
Ata janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.
“Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë këtij aksioni, Prokuroria ka konfirmuar se ka sekuestuar prova që sipas tyre janë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
“Njëzet (20) plomba zyrtare të Doganës së Kosovës, dhjetë (10) telefon së bashku me katër (4) sim kartela, një pistoletë e kalibrit 9 mm me tre karikator dhe 9 fishek, me leje, gjashtëmbëdhjetë (16) copë municion jo zyrtar” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Deri te arrestimet ka ardhë pas një hetimi të gjatë që është udhëhequr nga Prokuroria Speciale.
“Dyshimet janë bazuar në një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale dhe të zbatuar nga Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor, pasi që nën hetime ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor” – thuhet tutje në komunikatën e lëshuar për media.