Keqpërdorime në tenderin 72 mijë euro për shtrimin e rrugëve në Suharekë, prokuroria ngrit aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Enver Shabani, zyrtarit komunal, Berat Kabashi dhe pronarit të kompanisë, Bujar Seferi.

Ata po akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre në një tender dhjetëra mijëra euro për shtrimin e disa rrugëve në fshatin Mushtisht të Suharekës gjatë vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, të pandehurit prej datës 18 maj 2022 deri në muajin prill 2023, në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për persona tjerë.

Të njëjtit sipas Prokurorisë me dashje shkelin Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren për Prokurim Publik, në atë mënyrë që me vendimin e datës 18 maj 2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia – me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”.

Nga provat e siguruara rezulton që të hollat në vlerë prej 72,214.74 euro, janë paguar për Operatorin Ekonomik, mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihej në kontratë.

Në aktakuzë thuhet se përderisa në vitin 2022 përpilojnë dokumentacione fiktive dhe të rrejshme, ku i pandehuri Berat Kabashi, në bashkëkryerje me të pandehurin Enver Shabani, më datë 12 dhjetor 2022 përpilojnë dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse janë realizuar punimet sipas kontratës përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar deri në kohën kur prokuroria së bashku me hetuesit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

Tutje në akuzën e Prokurorisë të njëjtit të gjendur para një situate të tillë, në muajin prill të vitit 2023, në bashkëpunim me personin juridik – Operatorin Ekonomik me qëllim që t’i shmangen përgjegjësisë penale dalin në teren dhe shtrojnë rrugët e ridestinuara, të cilat rrugë nga ekspertiza e fushës së ndërtimtarisë rezultojnë me dëme material.

Sipas Prokurorisë trashësia mesatare e asfaltit në segmentin “Manastiri”, “Hasan Basha” dhe “Guri i gjatë” rezulton të jetë 6.5 cm ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 1.5 cm, trashësia mesatare e asfaltit në rrugën “Bajram Kurti” është 7.53cm, ndërsa me kontratë është 8.0 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 0.47 cm, trashësia mesatare e mbushjes me tampon në rrugën “Sadri Shasha” është 5.7 cm, ndërsa me kontratë është paraparë të jetë 10 cm, pra trashësia mesatare është më e vogël për 4.3 cm.

Me këto veprime i mundësojnë nga njëra anë Operatorit Ekonomik përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe nga ana tjetër i shkaktojnë dëm material Komunës së Suharekës në vlerë prej 8,651.97 euro, pa llogaritur shkallën e dëmit në stabilitetin dhe jetëgjatësinë e rrugëve të punuara.

Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, i pandehuri Bujar Seferaj (personi përgjegjës i personit juridik) dhe personi juridik – Operatori Ekonomik, prej datës 17 maj 2022 deri në muajin prill të vitit 2023,  në Suharekë, duke vepruar në cilësi të pronarit dhe përfaqësuesit të autorizuar të personit juridik-Operatorit Ekonomik, me dashje shkel procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk zbaton detyrimet që dalin nga kontrata e prokurimit publik, me qëllim të përfitimit për vete duke i shkaktuar dëm buxhetor Komunës së Suharekës.

Sipas Prokurorisë në atë mënyrë që i njëjti më datë 17 maj 2022 nënshkruan kontratën e lartcekur, në bashkëveprim me persona zyrtarë të Komunës së Suharekës, përkatësisht me menaxherin e kontratës Berat Kabashi, në vitin 2022 përpilojnë procesverbale, situacione fiktive si dhe raporte fiktive për kryerjen e punëve, përmes kompanisë së tij, përderisa gjendja në teren ka qenë e pa realizuar.

Me këto veprime kanë kryer veprën penale -keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, prokurori Petrit Kryeziu, konform dispozitave ligjore ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve Berat Kabashi dhe Enver Shabani përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Si dhe Bujar Seferajt, dhe personi juridik- Operatorit Ekonomik, përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.

Artikujt e tjerë lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK