Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Të gjitha zvarritjet në gjykimin e Haki Rugovës për tenderin që e fitoi kompania e vëllait të tij

Aktakuza për konflikt interesi ndaj kryetarit të komunës së Istogut Haki Rugova, është ngritur me mars të vitit 2018, ndërsa vetëm pas 298 ditëve, më 17 janar 2019, Gjykata e Pejës arriti ta mbajë shqyrtimin fillestar duke shkelur kështu në mënyrë flagrante afatet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës për procedim të rastit.

Kanë kaluar 1,109 ditë që kur Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzën kundër Haki Rugovës, e që Gjykata e Pejës ka arritur të mbaj vetëm një seancë të shqyrtimit kryesor ndaj të akuzuarit Rugova.

Gjykata në Pejë katër herë radhazi ka caktuar seancën fillestare, duke përfshirë këtu periudhën kohore prej tetë muajve që nga ngritja e aktakuzës për konflikt interesi ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, mirëpo, nuk ka arritur të mbajë as edhe një seancë të vetme, në të cilën Rugova do të deklarohej lidhur me aktakuzën e Prokurorisë.

Seanca e parë fillestare është mbajtur me 17 janar 2019, ku i akuzuari Haki Rugova është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Më 21 mars 2019 është mbajtur seanca për kundërshtimin e aktakuzës.

Gjykata e Pejës më 8 prill 2019, e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj Haki Rugovës, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Në qershor të vitit 2019, Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur ndaj Haki Rugovës, për veprën penale “Konflikti interesi”.

Gjykata e Pejës ka vazhduar shqyrtimin gjyqësor më 23 tetor 2019, ku janë dëgjuar 5 dëshmitarë, menaxherja e zyrës së prokurimit në këtë komunë, avokati publik i Komunës së Istogut, dhe tre anëtarët e komisionit vlerësues.

Më 10 dhjetor 2019, dështoi të mbahet seanca, për shkak të mungesës se prokurorit dhe të akuzuarit.

Edhe më 21 janar të vitit 2020 për shkak të mungesës se prokurorit, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore.

Ndërsa më datën 10 mars të vitit 2020 seanca gjyqësore nuk është mbajtur për shkak të mungesës së avokatit Besnik Berisha.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Sylë Lokaj: “Avokati me parashtresë ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e seancës me arsyetimin se me parë është angazhuar në një çështje penale, pranë dhomës së specializuar në Hagë”.

Tash pas pensionimit të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sylë Lokaj, procesi ndaj Rugovës ka filluar rishtazi.

Seanca gjyqësore e datës 21 janar të këtij viti ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit Ali Uka, të akuzuarit Haki Rugova dhe mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sami Sharraxhiu, prokurori Uka ka njoftuar gjykatën se nuk ka mundur të jetë prezent për shkak të konferencës vjetore të prokurorëve.

I akuzuari Rugova nuk e ka arsyetuar mosardhjen e tij, ndërsa, avokati Berisha e ka njoftuar gjykatën se ka udhëtuar jashtë vendit për shkak të disa obligimeve personale.

Në muajin shkurt seanca u mbajte vetëm deri në përfundimin e fjalës hyrëse.

Pas fjalës hyrëse, seanca nuk u vazhdua për arsye të mungesës së mbrojtësit së të akuzuarit Rugova, avokatit Besnik Berisha.

Avokati zëvendësues i të akuzuarit Rugova, Gëzim Kollqaku, që ishte i autorizuar nga avokati Berisha, tha se nuk ka autorizim të vazhdojë tutje me dëshmitar.

Në anën tjetër, Rugova tha se nuk do të lëshohet mëtej për seancë pa prezencën e avokatit Berisha.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu e njoftoi të akuzuarin Rugova se vepra për të cilën akuzohet ai, nuk e parasheh të detyrueshme mbrojtjen, andaj në seancën e radhës në rast të mungesës se mbrojtësit, do të procedohet edhe pa të.

Sot seanca nuk është mbajtur për shkak të mungesës së Haki Rugovës dhe mbrojtësit të tij avokatit, Besnik Berisha, të cilët mosardhjen e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Ndërsa përfaqësuesi i komunës së Istogut, Adem Avdija, njoftoi gjykatën se i akuzuari Haki Rugova, gjendet i shtrirë në spital.

Ai tha se për këtë është njoftuar nga avokati Besnik Berisha.

Gjykatësi Sharraxhiu deklaroi se për të vërtetuar këtë rrethanë do t’i drejtohet me urdhëresë stacionit policor në Istog, pasi që gjykata nuk është njoftuar për këtë çështje.

Haki Rugova nuk paraqitet në Gjykatë, përfaqësuesi i Komunës thotë se është i shtrirë në spital

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë-Lubozhdë- faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal pranë prokurorisë së Pejës.