Haki Rugova nuk paraqitet në Gjykatë, përfaqësuesi i Komunës thotë se është i shtrirë në spital

Haki Rugova, i akuzuar për konflikt interesi nuk është paraqitur sot në Gjykatë, ku pritej të mbahej seanca ndaj tij.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu tha se si i akuzuari ashtu edhe mbrojtësi i tij nuk e kanë arsyetuar mosardhjen.

Ndërsa përfaqësuesi  i komunës së Istogut, Adem Avdija, njoftoi gjykatën se i akuzuari Haki Rugova, gjendet i shtrirë në spital.

Ai tha se për këtë është njoftuar nga avokati Besnik Berisha.

Gjykatësi Sharraxhiu deklaroi se për të vërtetuar këtë rrethanë do t’i drejtohet me urdhëresë stacionit policor në Istog, pasi që gjykata nuk është njoftuar për këtë çështje.

Ishte marsi i vitit 2018 kur Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, për vepër penale konflikt interesi.

Për 3 vite gjykata e Pejës nuk ka arritur të përfundojë shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit Haki Rugova.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 28 maj.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij, kjo pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugova për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë’.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ SH.P.K, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Gjykimi ndaj Haki Rugovës kthehet në pikën zero