Sulmi terrorist në Banjskë – Vendimi i fundit i gjykatës për tre të paraburgosurit

Gjykata e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com më 23.02.2024 KALLXO.com se tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, ua ka vazhduar paraburgimin edhe 2 muaj.

Sipas këtij vendimi të marr nga gjyqtari Valon Kurtaj, të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim deri më datë 24.04.2024.

Gjykata e mori këtë vendim, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për vazhdimin e kësaj mase të sigurisë e cila po alikohet prej datës 26.09.2023.

Detaje nga dosja e Prokurorisë

Në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit thuhet se të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojeviq me një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme.

Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.

Ndërsa i pandehuri tjetër Dusan Maksimoviq, sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, me dashje iu ka ofruar ndihmë pjesëtarëve të grupit të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, duke incizuar skena të vendit të ngjarjes lidhur me lëvizjet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët ishin duke zhvilluar operacion kundër të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

Në kërkesë, prokurori Naim Abazi e thekson faktin se tre pandehurit janë shtetas edhe të Serbisë dhe nuk kanë vendbanim të konfirmuar.

“Rrethanat e përgjithshme të cilat aktualisht e karakterizojnë veriun e vendit, ekziston rreziku që po të lihen të lirë, do të arratisen nga Kosova dhe do të ikin në Serbi ose në ndonjë vend tjetër, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale. Këtë mundësi reale të arratisjes së të pandehurve duhet ndërlidhur edhe me faktin se shumica e të dyshuarve, aktualisht gjenden të lirë, për shkak të disa rrethanave” – thuhet në kërkesë.

Dosja ndaj Millan Radoiçiqit i kërkuar nga INTERPOL-i

Millan Radoiçiq, i cili doli publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet për vepra të ndryshme penale e që ndërlidhen edhe me terrorizëm. KALLXO.com ka siguruar edhe fletarrestin të cilin INTERPOL-i e lëshoi për Radoiçiqin.

Fletarresti bazohet edhe në dy vendime të Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me të njëjtin person.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, INTERPOL-i ka përmendur edhe dy urdhër arreste të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës më 3 dhe 11 tetor të këtij viti.

Gjithashtu në fletarrest përmendet edhe vendimi për Radoiçiqin si person i kërkuar nga Kosova më 06.10.2023.

Millan Radoiçiq sipas vendimeve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste, konkretisht, vepra të rënda kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, kryerje të veprave terroriste si dhe pastrim parash.

Për cilat vepra penale kërkohet nga INTERPOL-i Millan Radoiçiq