Sulmi fizik ndaj të moshuarës në ‘shtëpinë e pleqve’, caktohet seanca fillestare ndaj të akuzuarave

Ndonëse pas afatit të paraparë ligjor, Gjykata e Pejës e ka caktuar seancën fillestare për gjykimin e rastit ndaj infermieres Aurona Pelaj, e cila akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të moshuarës që po qëndronte në rezidencën e të moshuarve “Orenda”.

Caktimin e seancës e e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti e cila ka treguar se seanca është caktuar me datë 31 Tetor në ora 10:00.

Pjesë e këtij gjykimi përveç Pelajt do të jenë edhe dy infermiere të tjera të këtij institucioni Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi të cilat ishin dëshmitare të dhunës.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, pati njoftuar se aktakuza ishte dorëzuar më 28 prill 2023 në Gjykatë.

Konform dispozitave të Kodit Penal gjyqtarja e vetme gjykuese Ilda Cucoviq duhej ta kishte caktuar këtë seancë qysh para 3 muajsh, përkatësisht deri në fund të muajit maj.

Viktimë e kësaj dhune ishte M.N.

Fillimisht Gjykata e Pejës e pati aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj tri të dyshuarave, veprim i cili u kundërshtua nga mbrojtësit e të dyshuarave me arsyetimin se, sipas tyre, “Gjykata po bie në presionin publik ndonëse kushtet ligjore për këtë masë sigurie nuk janë plotësuar”.

Më tutje, Gjykata Supreme e aprovoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dyshuarës Rexhepi, avokatit Blerim Ademaj, duke vendosur ashtu që të pandehurave t’u ndërpritet menjëherë masa e paraburgimit dhe të njëjtat të lëshohen për t’u mbrojtur në liri.

Pas publikimit të sulmit fizik, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale kishte bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i ishte dorëzuar Komisionit Licencues, i cili pas një takimi urgjent kishte marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale. Kështu pronarët dorëzuan licencën dhe mbyllën aktivitetin e kësaj qendre.

Sjellja e cilësuar si jo vetëm joprofesionale por edhe çnjerëzore u kushtoi me humbjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit tri të dyshuarave pasi në nëntor të vitit të kaluar Oda e Infermierëve të Kosovës ua revokoi licencat në profilet përkatëse si dhe i fshiu nga regjistri i OIK për profesionistët shëndetësorë.