Foto: KALLXO.com

Foto: KALLXO.com

Shtyhet gjykimi ndaj gruas së akuzuar për nxtije në vrasjen e burrit të saj

Seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së Abedin Bytyqit në Gjykatën e Prizrenit është shtyrë për shkak të mungesës së dy ekspertëve.

Pas më shumë se 7 vite nga vdekja e Abedin Bytyqit, të akuzuarit Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Reshat Ademi e Fadil Fetiu për të tretën herë po ballafaqohen me akuzën e vrasjes.

Abedin Bytyqi nga Suhareka, ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, e pas disa kohe trupi i tij u gjet në një mal i djegur e i groposur. Sipas aktakuzës, viktima pasi ishte rrahur, ishte mbytur duke iu vënë zjarri dhe më pas ishte groposur në një mal në Suharekë.

Dy herë Gjykata ka marrë vendim duke i shqiptuar 57 vite burgim të akuzuarve, por instanca e dytë e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Të hënën, kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, konstatoi se eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj përmes telefonit kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë në gjykim, ndërsa për ekspertin e hartografisë, Fatbardh Dragusha, gjykata nuk kishte prova të mjaftueshme që ai ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Për shkak të kushteve ligjore, seanca e sotme u shtye, dhe është caktuar për më 2 tetor 2023 seanca e radhës.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit dy herë i kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Por me vendimin e Apelit rasti është kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK