FOTO: KALLXO.com

Apeli kthen në pikën zero rastin e vrasjes së Abedin Bytyqit

Murat Ademi, Resmije Bytyqi, Reshat Ademi e Fadil Fetiu, pritet që të rigjykohen për të tretën herë për rastin e vrasjes së Abedin Bytyqit.

Abedin Bytyqi nga Suhareka, ishte zhdukur në tetor të vitit 2016, e pas disa kohe trupi i tij u gjet në një mal i djegur e i groposur.

Lidhur me këtë vrasje, Gjykata e Prizrenit gjeti fajtor dhe dënoi me 57 vite burgim Murat Ademin, gruan e të ndjerit Resmije Bytyqin dhe Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

57 vite burgim të akuzuarve për vrasjen mizore të Abedin Bytyqit në Suharekë

Por, pas ankesës së Prokurorisë e mbrojtësve të të akuzuarve, avokat Hajrip Krasniqi, Durim Nevzati, Pjetër Përgjoka, Esat Gutaj dhe Sefer Morina, shkalla e dytë e ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë.

Nga vendimi i Apelit del se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren është marr në shkelje esenciale të dispozitave penale.

Apeli ka gjetur se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka bazuar në deklaratën e një dëshmitari të padëgjuar.

“Në faqe 42, gjykata e shkallës së parë konstaton se më datë 29 janar 2021 është dëgjuar dëshmitar edhe Armend Bytyqi. Mirëpo me shikimin në procesverbalin e datës 29 janar 2021, por edhe në procesverbalet e tjera të shqyrtimit gjyqësor në rigjykim, askund nuk rezulton se është dëgjuar ky dëshmitar, për më tepër në procesverbalet e seancave gjyqësore në rigjykim nuk ka asnjë konstatim lidhur me dëgjimin, leximin e deklaratës apo ndonjë propozim konkret në raport me këtë dëshmitar”- thuhet në vendim e Apelit.

Gjykata e Apelit tutje ka konstatuar se në vendimin mbi lirmin e Reshat Ademit nuk është bërë përshkrimi i veprës për të cilën është akuzuar si dhe është dhënë vendimi për shpenzimet procedurale.

“Në këtë çështje penale i njëjti është akuzuar në formën e bashkëkryerjes për të cilin të akuzaurin tjetër e ka shpallë fajtor. Dispozitivi është i paqartë dhe i pakuptueshëm ngase nuk dihet se të akuzuarin Reshat Ademi për cilat veprime e ka liruar nga akuza dhe se a është obliguar edhe ai për të paguar në emër të paushallit shumën prej 2 mijë e 500 euro”- sqarohet në vendim.

Për më tepër, Apeli konsideron se ky aktgjykim përmban shkelje kur në propozimin e mbrojtësve nuk janë dhënë arsye që të trajtohen si të dëmtuar fëmijët e të ndjerit Abedin Bytyqi.

“Nuk është dhënë arsye në raport me propozimin nga mbrojtja e të akuzuarës Resmije Bytyqi- avokat Durim Nevzati dhe Pjetër Përgjoka, përkitazi me pretendimin që në këtë çështje penale të trajtohen si të dëmtuar fëmijët e të ndjerit Abedin Bytyqi. Kjo gjykatë gjen se ky pretendim i mbrojtjes është i bazuar ngase aktgjykimi i ankimuar është marrë në kundërshtim me ligjin ku decidivisht kërkohet që gjykata të jep arsye të qarta dhe të plota për mosmiratim të propozimit konkret të palëve, e që në këtë çështje penale gjykata e shkallës së parë nuk e ka përmbushur”- thuhet në vendim.

Apeli, më tej ka gjetur se në aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit nuk janë paraqitur faktet dhe rrethanat për akuzat e vrasjes ndaj të akuzaurit Murat Ademi.

“Aktgjykimi i ankimuar në raport me të akuzuarin Murat Ademi është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe kontradiktor në brendinë e tij pasi që nuk mund të kuptohet me qartësi se për cilën formë të vrasjes e ka gjetur fajtor të akuzuarin, meqënëse në dispozitiv përshkruhet në mënyrë alternative se i akuzuari me dashje direkte ndërmerr veprime me qëllim të privimit nga jeta në mënyrë mizore apo dinake e të ndjerit Abedin Bytyqi”- sqarohet në arsyetim.

Ndërkaq, sa i përket të akuzarës Resmije Bytyqi, Apeli ka gjetur se shkalla e parë nuk e ka paraqitur se për cilën vepër është fajtore.

“Në dispozitiv të aktgjykimit është dashur të precizon se cilin veprim inkriminues e ka ndërmarrë e akuzuara Resmije Bytyqi në drejtim të nxitjes së të akuzuarit Murat Ademi për të kryer veprën penale, a ka ndikuar që te i njëjti të formoj vendimin-bindjen për të kryer këtë vepër penale, apo te i njëjti ka forcuar bindjen që të vendos për të kryer këtë vepër penale”- thuhet në vendim e Apelit.

Edhe për të akuzaurin Fadil Fetiu, shkalla e dytë ka konstatuar se ndaj të njëtit dispozitivi nuk mund të kuptohet në mënyrë të saktë se cili në fakt është veprimi i ndërmarr nga Fetiu.

“I akuzuari Fadil Fetiu shpallet fajtor për ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë për vënie në dispozicion të mjetit të kryerjes së veprës dhe për fshehje të provave, ndërsa në arsyetim rezulton se Gjykata ka ardhur në përfundim me bindje se Fadil Fetiu “…kishte ngritur kurth” për të dëmtuarin, pra me bindje ndryshe si në arsyetim nga veprimet inkriminuese”- përshkruhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit ka argumentuar se vendimi i marr nga Gjykata Themelore në Prizren paraqitet voluminoz por nuk përmban arsyet.

“Në arsyetim të aktgjykimit vetëm listohen provat materiale dhe përshkruhen dhe përsëriten deklaratat e dëshmitarëve dhe mbrojtja e të akuzuarve, për çka aktgjykimi paraqitet voluminoz por nuk përmban arsyet e qarta dhe të plota për vlerësimin e tyre nga të cilat gjykata ka nxjerrë konkluzionin për të provuar apo jo një fakt vendimtar në këtë çështje penale”- thuhet në vendimin e Apelit.

Në këtë mënyrë Apeli ka urdhëruar që në rigjykim të caktohet një trup tjetër gjykues për këtë rast.

Sipas Prokurorisë, vëllezërit Murat e Reshat Ademi, akuzohen se më 6 tetor 2016, në fshatin Peqan të Suharekës, në bashkëkryerje, mizorisht kanë vrarë Abedin Bytyqin.

Motivi i krimit, sipas Prokurorisë, ishte bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Aktakuza i ngarkon edhe Fadil Fetiun për ndihmë në vrasje, ndërsa Resmije Bytyqin për shtytje në vrasje.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Për këto pretendime në tetor të vitit 2019 dhe në tetor të vitit 2021, Gjykata e Prizrenit dy herë i kishte dënuar me gjithsej 57 vite burgim tre të akuzuarit.

Por me vendimin e Apelit rasti është kthyer në pikën zero.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK