Hage: seanca e apelit ne rastin e Salih Mustafes

Seanca e Apelit në Hagë, avokati kundërshton aktakuzën ndaj Salih Mustafës për vrasje të paligjshme

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone, ka kundërshtuar aktakuzën për vrasje të paligjshme pasi, sipas tij, koha dhe arsyeja e vdekjes së viktimës nuk janë vërtetuar ndonjëherë.

Von bone theksoi se vdekja e një viktime në prill të vitit 1999 mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të Mustafës si komandant i BIA-s.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca e Apelit në çështjen ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Ish-komandant “Cali” po e apelon aktgjykimin e dhënë nga trupi gjykues në dhjetor të vitit 2022, i cili e gjeti fajtor dhe u dënoi me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.

Mbrojtësi Julius Von Bone u shpreh se aktgjykimi për vrasje nuk ka bazë ligjore dhe kjo e bën të pavlefshme akuzën.

Von Bone më tej ka kundërshtuar pretendimin se i është mohuar ndihma mjekësore viktimës. Ai argumentoi se rrethanat janë të ngatërruara dhe nuk mund të përcaktohen lehtësisht.

Në fjalën e tij, avokati kërkoi që aktakuzat të rivlerësohen me kujdes duke shtuar se ato janë të pavlefshme në mungesë të dëshmive të qarta dhe të përcaktuara.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, kur trupi gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023.

Trupi gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.