Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com
Prokurorisë i refuzohet kërkesa për t’ua ndaluar ekzaminuesve t’u afrohen qendrave të patentë-shoferëve
Gjykata e Prishtinës përmes aktvendimit e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që ndaj të pandehurve Defrim Bajraj, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi e Besfort Pozhegu të caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar qendrave të patentë-shoferëve.
Pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të kërkesës dhe shkresave të lëndës gjyqtari i procedurës paraprake Kujtim Krasniqi gjeti se kërkesa e Prokurorisë së Prishtinës, më saktësisht prokurores Dulina Hamiti, është e pabazuar.
Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se nuk është kontestuese se Prokuroria me aktvendimin për zgjerimin e hetimeve i ka filluar hetimet ndaj të pandehurve të lartcekur nën dyshimin se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, por sipas Gjykatës së Prishtinës, Prokuroria nuk ka vepruar në pajtim me nenin 164 të KPPRK-së që parasheh se cilat veprime duhet të ndërmerren nëse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Sipas Gjykatës, kur prokurori i shtetit ka dyshim të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën hetohen dhe kur ka baza të artikulueshme për të besuar se ka rrezik të arratisjes, asgjësimit, fshehjes, ndryshimit apo falsifikimit të provave, ndikimin në dëshmitar në të dëmtuar apo bashkëpjesëmarrës apo kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, prokurori e autorizon arrestimin e të pandehurve dhe mbi aktvendim për ndalim i ndalon të pandehurit për 48 orë ndërsa brenda 24 orëve nëse ekzistojnë arsyet i propozon Gjykatës të caktojë njërën nga masat e parapara me nenin 173 duke përfshirë edhe masën dhe ndalimin për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, por që në rastin konkret sipas Gjykatës, Prokuroria nuk ka vepruar në pajtim me këto dispozita ashtu që të pandehurit nuk i ka ndaluar asnjëherë.
“…Prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme që të njëjtit t’i arrestojë apo ndalojë me qëllim që të iu pamundësohet të përsërisin veprën penale, të fshehin apo asgjësojnë provat, të ndikojnë në dëshmitarë apo të bashkëpandehur apo në çfarëdo forme të pengojnë rrjedhën normale të zhvillimit të procedurës penale, andaj po qe se do të ekzistonte rreziku serioz se të pandehurit do të pengojnë rrjedhën normale dhe të papenguar të procedurës hetimore, Prokuroria do të vepronte njëjtë sikurse ka vepruar edhe me të pandehurit e tjerë të cilët dyshohen për të njëjtat vepra penale, të cilët fillimisht janë arrestuar dhe ndaluar si dhe ndaj tyre me vendim të Gjykatës iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak (23 prej tyre), ndërsa (2) të tjerëve masa e paraqitjes në stacion policor”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Gjykata në aktvendimin e saj thekson se në rastin konkret me aprovimin e një kërkese të tillë të pandehurve do t’u ndalohej që t’i afroheshin vendit, konkretisht objekteve dhe qendrave apo njësive për patentë-shofer ku të njëjtit janë të punësuar dhe të njëjtëve do t’u pamundësohej që të paraqiteshin në vendet e tyre të punës.
Prandaj në arsyetimin për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë, Gjykata konsideron se në mungesë të arsyeve ligjore bindëse, aprovimi i një kërkese të tillë dhe caktimi i një mase të tillë do të cenonte rëndë të drejtat e punës të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Skandali i patentë-shoferëve, Pergjimet e policisë zbulojnë format e plotësimit të testeve
Skandali i patentë-shoferëve, Pergjimet e policisë zbulojnë format e plotësimit të testeve
www.kallxo.com