Dosja e prokurorisë: Ekzamineri i dikton kandidatit testin e patentë- shoferit

Në dosjen e Prokurorisë për skandalin me patentë- shofer në Prishtinë shpjegohen mënyrat e kalimit të testit teorik nga ana e kandidatëve të cilët kishin marrëveshje paraprake me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës.

Prokuroria në dosjen e hetimit ka paraqitur mënyrat se si përzgjidheshin kandidatët të cilët kishin marrëveshje paraprake me zyrtarët e patentë- shoferëve.

Një nga format më të shpeshta ishte plotësimi i testeve nga ana e ekzaminerëve të testit teorik.

Prokuroria pretendon se për plotësimin e këtyre testeve përkujdeseshin ekzaminerët tashmë të dyshuar, Naser Bislimi, Adem Binakaj, Eduard Brahimaj dhe Azem Miftari.

Ata dyshohen se vazhdimisht kanë mbushur testet me shabllon për kandidatët që kanë pasur marrëveshje për t’i kaluar.

Mënyrë tjetër e cila përmendet nga prokuroria në këtë dosje është plotësimi i testit nga vetë kandidati me diktimin e ekzaminerve.

Ekzamineri Adem Binakaj dyshohet se kishte hyrë në zyrën e Naser Llugaliut, koordinator për patentë shofer në Ministrinë e Infrastrukturës bashke me një kandidat të cilit ia kishte dhanë një test dhe i kishte diktuar përgjigjet e sakta.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se listat e kandidatëve kontrolloheshin para se kandidatët t’iu nënshtroheshin testit.

Drejtoresha e qendrës së patentë- shoferëve në Prishtinë Filiz Krasniqi dyshohet se bashkë me ekzaminerin Azem Miftari i kanë shikuar listat e kandidatëve me qëllim të identifikimit të personave për të cilët kanë pasur rekomandime t’i kalojnë në pjesën teorike.

Prokuroria pretendon se Krasniqi mbante disa kopje të listave të personave që kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe i kishte diktuar disa emra Fejzullah Ejupit i cili ishte në pozitën e zyrtarit Administrativ  dhe  i kishte shënjëzuar në listën e kandidateve.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Naser Llugaliu bashkë me Filiz Krasniqin e kishin shikuar një follder me ngjyrë të zezë të cilin ua kishte sjellë e dyshuara Filloreta Ajvazi dhe e kishin nxjerrë një test nga dosja dhe e kishin shikuar.

Sipas Prokurorisë i dyshuari Naser Llugaliu ishte i kujdesshëm pasi follderin e kishte prekur me një letër nga frika e mbetjes së gjurmëve të gishtave.

Në lidhje me atë dosje, Filiz Krasniqi  i kishte thënë Filloretës “shko shtine diku këtë dosje kishe ti nuk din sen”.

Gjatë muajit korrik Policia e Kosovës kishte arrestuar 23 persona në lidhje me ketë aferë.

Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar paraburgimin për 19 nga të arrestuarit ndërsa gjykata e kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe ndaj tyre kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore ishin deklaruar të pafajshëm për pretendimet ndaj tyre.

Në lidhje me këtë aferë disa ditë më parë u arrestuan edhe dy zyrtarë policorë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Ata u arrestuan nën dyshimet se kanë pasur manipulim me provat e rastit të patentë-shofereve.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com, raportoi  se në lidhje me ketë aferë janë intervistuar edhe tre zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.