Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com
Skandali i patentë-shoferëve, Pergjimet e policisë zbulojnë format e plotësimit të testeve
Plotësimi i testeve dhe sistemi i organizuar i favorizimit të kandidatëve për marrjen e patentë-shoferëve, janë disa nga pretendimet e prokurorisë, nën urdhërat e së cilës u prangosën disa të dyshuar.
Në fillim të muajit korrik përfunduan nën pranga një numër i madh i zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me aferën e patentë shoferëve. Kjo ministri udhëheqet nga Ministri në detyrë, Pal Lekaj.
Njëzet e tre ishte numri i të arrestuarve fillimisht në lidhje me këtë aferë. Në mesin e të dyshuarve bën pjesë edhe Drejtoresha e Qendrës së patentë shoferëve Filiz Krasniqi dhe 15 zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Të gjithë të dyshuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën për caktimin e sigurisë. 19 nga 23 të dyshuarit tani janë në arrest shtëpiak ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Dyshimi i prokurorisë bie edhe në një menaxher, tre mjekë, një psikolog i një ordinance, dy bashkpronarë të një në auto-shkolle dhe së fundi dy zyrtarë policorë të krimeve ekonomike në Policinë e Kosovës.
Këto arrestime erdhën pas zbatimit të masave të hetimit dhe zbulimit nga ana e policisë.
Në aktvendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se arrestimet erdhën pas përgjimeve të komunikimeve me telefon, bisedave publike, fotografimeve të fshehta si dhe incizimeve me video nga policia.
Sipas këtij vendimi me urdhër të Gjykatës është zbatuar edhe simulimi i veprës penale të korrupsionit.
Për 16 zyrtarët e Ministrisë së Pal Lekajt ekziston dyshimi se deri me datë 5 korrik 2019 në vazhdimësi kanë keqpërdorur detyrat e tyre si zyrtarë të sektorit të patentë shoferëve me qëllim të përfitimit të pasurisë.
Prokuroria pretendon se me 17 prill 2019, koordinatorja e qendrës së patentë shoferëve në Prishtinë, e dyshuara Filiz Krasniqi dhe i dyshuari Azem Miftari në pozitën ekzaminerë të pjesës teorike i kanë shikuar listat e kandidatëve me qëllim të identifikimit të personave për të cilët kanë pasur rekomandime t’i kalojnë në test.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se Filiz Krasniqi mbante disa kopje të listave të personave që kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe i kishte diktuar disa emra Fejzullah Ejupit i cili ishte në pozitën e zyrtarit administrativ të cilët i kishte shenjëzuar në listën e kandidateve.
Ekzamineri Naser Bislimi në të njëjtën ditë në orën 10 e 52 i kishte veçuar disa teste dhe me shabllon kishte filluar që t’i plotësojë ato.
Sipas Prokurorisë, e dyshuara Filiz Krasniqi e bënte përzgjedhjen e kandidateve në bazë të listës në të cilën i shënonte numrat rendor të kandidateve me të cilët kishin marrëveshje për t’i kaluar dhe i fuste në zarf të cilin më pas ia jepte ekzaminerit për të proceduar tutje.
Sikurse për ekzaminerin Naser Bislimi, prokuroria pretendon se edhe ekzamineret Adem Binakaj, Eduard Brahimaj dhe Azem Miftari vazhdimisht kanë mbushur testet me shabllon për kandidatët që kanë pasur marrëveshje për t’i kaluar.
Prokuroria përshkruan se në përgjimet e policisë vërehet se si ekzamineri Azem Miftari i thoshte Filizës se sot më ke metë një borxh, ndërsa Filizi i thotë jo skam met un një borxh po e kena pas përgjysmë këtë.
Në dosjen voluminoze të prokurorisë thuhet se ngjashëm kishte ndodhur edhe me datën 30 prill 2019.
Atë ditë ekzamineri Adem Binakaj kishte hyrë në zyrën e Naser Llugaliut , koordinator për patentë shofer në Ministrinë e Infrastrukturës bashkë me një kandidat të cilit ia jep një test.
Sipas Prokurorisë kandidati e kishte plotësuar testin duke u diktuar nga ekzamineri Adem Binakaj.
Po ashtu Prokuroria pretendon se Naser Llugaliu bashkë me Filiz Krasniqin e kishin shikuar një follder me ngjyrë të zezë të cilin ua kishte sjellë e dyshuara Filloreta Ajvazi dhe e kishin nxjerrë një test nga dosja dhe e kishin shikuar.
Sipas Prokurorisë i dyshuari Naser Llugaliu ishte i kujdesshëm pasi follderin e kishte prekur me një letër nga frika e mbetjes së gjurmëve të gishtave.
Në lidhje me atë dosje, Filiz Krasniqi i kishte thënë Filloretës “shko shtine diku ketë dosje kishte ti nuk din sen”.
Grupit të 23 të dyshuarve për aferën me patentë shofer iu bashkëngjitën edhe dy zyrtarë policorë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
Ata u arrestuan nën dyshimet se kanë pasur manipulim me provat e rastit të patentë-shofereve.
Gjatë ditës së sotme KALLXO.com, raportoi se në lidhje me ketë aferë janë intervistuar edhe tre zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
https://kallxo.com/skandali-me-patente-shofere-intervistohen-edhe-tre-zyrtare-te-ministrise-se-pal-lekajt/