Prokuroria mirëpret vendimin e Apelit në rastin e Salih Mustafës: Fitore për drejtësinë dhe viktimat
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka mirëpritur vendimin e sotëm të Apelit për Salih Mustafën, duke e vlerësuar si një moment triumfal për drejtësinë.
Salih Mustafa u dënua me 22 vjet burgim, katër më pak se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë.
West u shpreh se ky vendim është një fitore e veçantë për drejtësinë, viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre.
“Mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili, me ndryshimet e vogla në dënimin e z. Mustafa, përfaqëson një fitore për drejtësinë dhe, sidomos, për viktimat dhe familjet e tyre” – tha prokurorja West pas vendimit të panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara.
Në vendimin e shkallës së parë të 16 dhjetorit 2022, ish-komandanti i Njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa, ishte shpallur fajtor për tre akuza për krime lufte: ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje – dhe ishte dënuar me 26 vjet burg.
Sipas Prokurorisë, viktimat në procesin e Mustafës ishin shqiptarë të Kosovës, shumica prej tyre vullnetarë për të shërbyer në UÇK sepse ata besonin fuqishëm në luftën për pavarësinë e Kosovës.
Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 në Prishtinë nga ZPS-ja.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 kurse procesi përfundoi më 20 qershor 2022. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 13 deri në 15 shtator 2022. Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti gjithsej 14 dëshmitarë.
Mustafa apeloi vendimin e shkallës së parë dhe seancat e Apelit u zhvilluan më 26 dhe 27 tetor 2023.
Gjatë këtyre seancave, ZPS-ja argumentoi se dënimi ishte i drejtë për të gjitha akuzat, përfshirë vrasjen. Ata theksuan se Mustafa dhe bashkëkryesit e tij kishin torturuar viktimën deri në gjendje gati të vdekur, i mohuan ndihmën mjekësore dhe e lanë të vdiste.
Sipas prokurores, West, sot, paneli i Gjykatës së Apelit konfirmoi të gjitha dënimet, vlerësoi rëndësinë e krimeve dhe uli periudhën e vuajtjes së dënimit të Mustafës në 22 vjet burg.
Prokurorja e Specializuar ngriti gjithashtu lart kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi në gjyqin ndaj Mustafës.
“Gatishmëria e dëshmitarëve për të dëshmuar ishte kritike në këtë çështje gjyqësore dhe unë duartrokas kurajën e atyre që dhanë dëshmi në sallën e gjyqit” -tha prokurorja.
Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roje të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Në lidhje me këto akuza Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërkaq, ky rast përfshin 8 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.