Foto-ilustrim

Prokuroria: Ish-referentja e Gjykatës Supreme mori 13.500 euro për t’iu zbutur dënimi një të dënuari

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seancë në rastin e ish-referentes së Gjykatës Supreme, Bukurije Haxhimuratit.

Sipas aktakuzës, Haxhimurati ka marrë 13 mijë e 500 euro për të ndikuar në lirimin ose zbutjen e dënimit të të dënuarit nën emrin “Dëshmitari C”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bukurije Haxhimurati kishte marrë edhe 500 euro të tjera  nga të pandehurit Burim Veseli dhe Remzi Murseli, të cilat ua kishte dhënë “Dëshmitari C” me qëllim të lirimit të tij nga dënimi ose zbutjes së dënimit.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, e njëjta shumën prej 13.500 euro e kishte marrë për të ndikuar në vendimmarrje të personave zyrtarë në sistemin gjyqësor të Kosovës për t’u liruar nga dënimi ose të paktën për t’iu zbutur dënimi “Dëshmitarit C”.

Sot në Gjykatën e Prishtinës u dëgjua në cilësi të dëshmitares Ajna Gashi, administratore në Gjykatën Supreme të Kosovës, e cila tha se e akuzuara ishte punëtore e Gjykatës Supreme  nën mbikëqyrjen e saj, referente e lëndëve juridike të natyrës penale.

E pyetur nga avokati i të akuzuarës, Florim Vertopi, se me cilat lëndë ishte e ngarkuar Haxhimurati, ajo tha se e akuzuara ishte e ngarkuar me mjetet e jashtëzakonshme juridike të lëndëve penale.

Në pyetjen e mbrojtësit  se  ka pasur ndonjë gjyqtar ndonjë vërejtje lidhur me punën e Bukurije Haxhimuratit, dëshmitarja u përgjigj se asnjëri “sepse  puna e Bukurijes ishte pranimi i lëndës, dorëzimi te gjyqtari dhe pas vendosjes së saj dërgimi në arkiv”.

Po ashtu, dëshmitarja tha se në atë kohë kur është paraqitur ky problem në Gjykatë kanë bërë disa ndërrime të objekteve të Gjykatës dhe “gjatë bartjes disa lëndë kanë mbetur në njërin objekt e disa në tjetrin dhe në atë kohë telefonat tokësorë nuk kanë punuar dhe në mungesë të daktilografit, gjyqtari është detyruar me telefon mobil ta thirrë referenten me shku me marrë lëndën dhe Bukuria si referente ka qenë e detyruar me shku me marrë lëndën dhe me dorëzu”.

Ndërsa në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra në lidhje me të akuzuarin Burim Veselin dëshmitarja deklaroi se nuk e njihte.

Pasi që sipas Gjykatës “Dëshmitari C” jeton jashtë vendit e po ashtu edhe dëshmitarët e tjerë, ish-zyrtarë të EULEX-it, prokurori i rastit Rafet Halimi, deklaroi para Gjykatës që për  Olta Punten dhe Xhovano Bellon, ish zyrtarë të EULEX-it heq dorë nga dëgjimi i tyre si dëshmitarë, ndërsa për “Dëshmitarin C” propozoi që në mungesë të tij  të lexohen dëshmitë e dhëna gjatë hetimeve.

Mirëpo, mbrojtja e sfidoi Gjykatën, duke i rikujtuar se

Gjykata nuk mund ta shpallë të akuzuarin fajtor duke u mbështetur në një dëshmi ose duke i dhënë rëndësi vendimtare një dëshmie e cila nuk mund të kundërshtohet nga i pandehuri ose mbrojtësi.

Tutje avokati deklaroi se mbrojtja nuk ka pasur mundësi ta kundërshtojë atë dëshmitar mbi prova materiale, se para se të dëgjohet ky dëshmitar në qershor  mbrojtja ka ushtruar ankesë kundër urdhrit për shpalljen e dëshmitarit anonim, se asnjëherë e as sot kolegji i Gjykatës së Prizrenit nuk ka vendosur për këtë ankesë të mbrojtjes, se mbrojtja automatikisht ka ushtruar kërkesë për qasje në shkresat e hetuesisë e prokurorja gojarisht e ka refuzuar kërkesën për qasje në shkresat e lëndës.

“Andaj kërkoj që ta rrëzoni propozimin e prokurorit  dhe t’i veçoni deklaratat  si dhe incizimet që i ka bërë dëshmitari bashkëpunues kinse me rastin e simulimit  dhe t’i përjashtoni nga shkresat e lëndës”, tha avokati Vertopi.

Avokati Isak Hoxha e mbështeti në tërësi  kundërshtimin dhe arsyetimin e kolegut.

Trupi gjykues me vendim e refuzoi propozimin e prokurorit  për leximin e deklaratave të “Dëshmitarit C”, si dhe konstatoi se Gjykata do të bëjë përpjekje që të sigurohet prezenca e dëshmitarit në fjalë.

Seanca  e radhës  u caktua  për  datën 1 tetor.