Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Paraburgim për personin që dyshohet se shtiu me armë te frizeri

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Fatmir Mujit, të dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Sipas prokurorisë më 27 gusht 2019, gjatë mesditës në sallonin “V.I.P”, që gjendet në rrugën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë, derisa i pandehuri Ruzhdi Ramadani ishte duke u qethur, i pandehuri Imer Ahmeti ka hyrë me armë në dorë në këtë lokal, e ka sharë të pandehurin Ramadani me fjalët “Ruzhdi he …”.

Tutje sipas prokurorisë me dashje qe ta privojë nga jeta, ka shtënë me armë në drejtim të tij, me ç’rast ka rrezikuar edhe floktarët që ishin duke punuar.

Pastaj i pandehuri Ruzhdi Ramadani, sipas prokurorisë, kishte dalë te dera e lokalit ku kishte edhe fëmijë, dhe kishte shtënë në drejtim të veturës ku ishin të pandehurit Imer Ahmeti dhe Fatmir Muji. Më pas, i pandehuri Ahmeti me shpejtësi kishte ikur duke hyrë në veturën e tij, në të cilën e priste i pandehuri Fatmir Muji nga ku kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria pretendon se si pasojë e këtyre të shtënave janë dëmtuar xhamat e lokalit “Lady Style”, dhe një automjet BMW, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbetur gëzhoja të shumta, si dhe janë dëmtuar xhamat e lokaleve qe ishin në afërsi të vendit të ngjarjes.

Pas shqyrtimit të kërkesë së prokurorisë dhe pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata e Prishtinës  ndaj të pandehurit e ka caktuar masën e paraburgimit ngase, sipas gjykatës, ekzistojnë rrethanat që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit pasi që i njëjti dyshohet për veprën penale për të cilën sipas ligjit parashihet dënim i lartë i burgimit. Ai jeton dhe punon në Gjermani prandaj, sipas gjykatës, po të gjendet në liri, ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Gjykata konstatoi se ka gjasa se i pandehuri mund të ndikojë edhe te dëshmitarët të cilët ende nuk janë dëgjuar në prokurori.

Po ashtu, gjatë vlerësimit të rrethanave përcaktimin e masës së paraburgimit, gjykata mori për bazë edhe peshën e veprës penale.

Lidhur ne caktim e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, avokati Nasuf Hasani deklaroi se gjykata gabimisht e ka vlerësuar gjendjen faktike.

“I mbrojturi im Fatmir Muji me Imer Ahmetin nuk kishin pasur asnjë lloj marrëveshje për të kryer ndonjë vepër. Me veprimet e tilla të prokurorisë sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit të mbrojturit tim po i shkelet një e drejtë elementare siç është liria e tij. Shpresoj qe Gjykata e Apelit do ta trajtojë ankesën time dhe do të marrë një vendim meritor”, ka deklaruar për KALLXO.com avokati Nasuf Hasani.

Prokuroria tregon si ndodhi incidenti me armë te frizeri