Prokuroria tregon si ndodhi incidenti me armë te frizeri

Prokuroria e Prishtinës kërkoi caktimin e paraburgimit për Fatmir Mujin i dyshuar se kishte qenë me Imer Ahmetin kur ai kishte shtënë me armë drejt Ruzhdi Ramadanit, përderisa ai ishte duke i qethur flokët në një sallon të martën, më 27 gusht.

Për Fatmirin Mujin prokuroria dyshon se kishte ndihmuar Imer Ahmetin në kryerjen e veprës penale vrasje në tentativë.

Këtë kërkesë Prokuroria e arsyeton me faktin se ekziston rreziku se i dyshuari do të arratiset për të shmangur përgjegjësinë penale ngase ai jeton dhe punon në Gjermani dhe se mund ta përsërisë këtë vepër penale në të cilën të rrezikuar kanë qenë edhe fëmijë.

Ndërsa dy të pandehurit tjerë, Ruzhdi Ramadani dhe Imer Ahmeti, sipas prokurorisë aktualisht gjenden në arrati.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se i dyshuari Imer Ahmetikishte hyrë me armë në dorë në një sallon floktarie në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë derisa Ruzhdi Ramadani ishte duke qethur flokët dhe e kishte sharë si dhe kishte shtënë me armë drejt tij duke dashur që ta privojë nga jeta.

Gjatë këtij incidenti të armatosur, sipas aktakuzës, ai kishte rrezikuar edhe floktarët që ishin duke punuar aty.

Pas kësaj edhe Ruzhdi Ramadani, kishte shtënë në drejtim të veturës ku ishin Imer Ahmeti dhe Fatmir Muji duke rrezikuar kështu edhe persona të tjerë që gjendeshin në vendin e ngjarjes.

Pas të shtënave të gjithë ishin larguar nga vendi i ngjarjes, Imer Ahmeri e Fatmir Muji me një veturë ndërsa Ruzhdi Ramadani në këmbë.

Në vendin e ngjarjes ku kishte edhe fëmijë kishin mbetur shumë gëzhoja dhe ishin shkaktuar dëme edhe në lokalet përreth.