Pamje nga seanca e sotme - Foto: KALLXO.com
Ndërpritet seanca e gjykimit të ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, të akuzuar për këmbim të pronës
Arben Krasniqi, ish-udhëheqës i sektorit ligjor të Komunës së Prizrenit dhe Shqipëron Krasniqi, ish-përfaqësues ligjor i kësaj Komune, janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë.
Ata po gjykohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit.
Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari Behar Bytyçi por Prokuroria hoqi dorë nga dëgjimi i tij duke propozuar leximin e deklaratës.
Kjo për faktin se Bytyçi punonte në zyrën e Blerim Mazrekut që është përfaqësues i Komunës.
Prokurorja Nazan Shero duke pasur parasysh këtë rrethanë, i propozoi trupit gjykues që të lexohet deklarata e këtij dëshmitari dhënë në Prokurori në kohën sa ka qenë bashkëpunëtor i Komunës.
Me këtë mendim u pajtuan edhe përfaqësuesi Blerim Mazreku dhe Driton Shehu, avokat i të akuzuarve.
Lidhur me propozimet e prokurorit dhe mbrojtësve Gjykata do të vendosë në seancën e radhës.
Sipas Prokurorisë, Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.
Aktakuza thotë se Shqipëron Krasniqi si përfaqësues i Komunës në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës në Prizren, nuk e kishte kundërshtuar propozimin e propozuesit V.J., për rregullimin e mezhdave kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit dhe në këtë rast ngastra kadastrale – pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale – pronë e propozuesit V. J., e gjitha kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata e Prizrenit të datës 30 janar 2019, bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V.J., pajiset me leje ndërtimore ku i mundësohet ndërtimi i objektit banesor aneksi i ri “Euro Center”.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK