Apeli refuzon ankesat ndaj dy ish zyrtarëve të Komunës së Prizrenit të akuzuar për këmbimin e pronës publike
Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuar ankesat e Shqipëron Krasniqit dhe Arben Krasniqit, të cilët po akuzohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.
Apeli ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Prizrenit për refuzimin e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave është bërë në mënyrë të drejtë duke shtuar se Themelorja ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsyet për refuzim dhe kundërshtim.
Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, shkalla e dytë ka konstatuar se me veprimet e përshkruara në aktakuzë, ekzistojnë elementet e veprës penale dhe ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se të njëjtit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.
“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve nuk janë të bazuara sepse gjykata e shkallës së parë me vendimin e atakuar është kujdesur të vlerësojë në mënyrë të drejtë dhe ka prova të mjaftueshme se Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit zyrtar”, thuhet në vendimin e Apelit.
Tutje sipas shkallës së dytë, aktakuza ishte ngritur konform ligjit dhe në këtë fazë pretendimet e mbrojtësve nuk paraqesin të dhëna të mjaftueshme për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
“Nga shkresat e lëndës, ekspertiza e ekspertit të ndërtimtarisë, ekspertiza plotësuese, ekspertiza e gjeodezisë, vendimet dhe padia të gjitha këto janë të ligjshme dhe janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, sqarohet në arsyetim.
Në rastin konkret, Gjykata e Apelit ka theksuar se kjo çështje duhet të kalojë në shqyrtim gjyqësor ku do të administrohen provat, ndërkaq se a do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve mbetet të shqyrtohet në fazat e tjera të procedurës.
Prokuroria e Prizrenit po pretendon se dy ish zyrtarët ligjorë Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi kanë lejuar këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin.
Sipas Prokurorisë të dy të pandehurit në një kontest civil në asnjë seancë gjyqësore nuk e kanë kundërshtuar propozimin për shkëmbim të pronës, që sipas prokurorisë është në dëm të Komunës dhe të njëjti pretendohet se nuk kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.
Ndërkaq, brenda afatit ligjor mbrojtësit e të akuzuarve, avokat Driton Shehu dhe Bestar Kolgeci me 7 shtator 2021 kishin paraqitur me shkrim kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës për çka Gjykata e Prizrenit dhe Apeli i ka refuzuar si të pabazuara.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.