Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Dy zyrtarët ligjor të Prizrenit lirohen nga paraburgimi

Shefi i zyrës ligjore i Komunës së Prizrenit Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi përfaqësuesi ligjor i Komunës sot janë liruar nga paraburgimi

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Driton Shehu i cili tha se Gjykata e Prizrenit sot e ka ndërprerë masën e paraburgimit.

“ Ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak” tha avokati Shehu, duke shtuar se Prokuroria  e Prizrenit kishte paraqitur kërkesë për arrest shtëpiak dhe jo për vazhdim të paraburgimit.

Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi ishin arrestuar me datë 16 Janar nën dyshimet për keqpërdorim  të detyrës së tyre zyrtare.

Një ditë më vonë Gjykata e Prizrenit iu kishte caktuar masën e paraburgimit, për ta ndërruar sot me masën e arrestit shtëpiak.

Prokuroria e Prizrenit po pretendon se zyrtarët ligjorë të ndaluar kanë lejuar këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë të dy të pandehurit në një kontest civil në asnjë seancë gjyqësore nuk e kanë kundërshtuar propozimin për shkëmbim të pronës, që sipas prokurorisë është në dëm të Komunës dhe që të njëjti pretendohet se nuk kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Kryetari i Komunës Mytaher Hashkuka pak ditë më vonë i ishte drejtuar  me kërkesë Gjykatës së Prizrenit  që të shtyheshin  të gjitha seancat gjyqësore ku Komuna e Prizrenit ishte palë, deri në një zgjidhje të radhës nga Komuna.