Ish zyrtarët ligjorë të Komunës së Prizrenit, i mohojnë akuzat për keqpërdorim të detyrës

Arben Krasniqi, ish-udhëheqës i sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe Shqipëron Krasniqi, ish-përfaqësues ligjor i kësaj komune, në seancën e sotme gjyqësore, kanë mohuar akuzat që u ngarkohen.

Të pandehurit, nga prokuroria po akuzohen se në bashkëkryerje kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit ku me këtë rast kanë mundësuar ndërtimin e objektit banesor aneksi i ri “Euro Center”.

Në shqyrtimin fillestar, të pandehurve me t’iu lexuar aktakuza, u deklaruan rreth fajësisë.

“Nuk e pranojmë fajësinë”, thanë dy të pandehurit.

Kurse, mbrojtësit e tyre në shqyrtim bënë të ditur faktin se në procedurën e hetimeve nga përfaqësuesit e aktakuzës, Ariana Shajkovca nuk ishin pajisur ende me shtresat e lëndës.

Seanca e radhës ndaj ish zyrtarëve ligjorë të Komunës u caktua për datën 7 shtator 2021.

Aktakuza e datës 11 qershor 2021, ngarkon Arben Krasniqin në cilësinë e udhëheqësit të Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe Shqipëron Krasniqin, në cilësinë e  përfaqësuesit ligjor të Komunës se në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.

Aktakuza, më tej shton se Shqipëron Krasniqi si përfaqësues i Komunës në procedurën jashtë kontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës në Prizren, nuk e kishte kundërshtuar propozimin e propozuesit V.J., për rregullimin e megjave kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit ku në këtë rast ngastra kadastrale – pronë e Komunës se Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale – pronë e propozuesit V.J., e gjitha kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata e Prizrenit të datës 30 janar 2019, bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin  në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V.J, pajisjet me leje ndërtimore ku i mundësohet ndërtimi i objektit banesor aneksi i ri “Euro Center”.