
Dosja e Prokurorisë për dy ish-zyrtarët e Prizrenit të akuzuar për këmbimin e pronës publike kundërligjshëm
Kundërshtojnë aktakuzën për korrupsion ish zyrtarët ligjorë të Komunës së Prizrenit
Arben Krasniqi, ish-udhëheqës i sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe Shqipëron Krasniqi, ish-përfaqësues ligjor i kësaj komune, kundërshtuan aktakuzën.
Të pandehurit e lartcekur po akuzohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit.
Në seancën e sotme, mbrojtësit e të pandehurve, avokat Driton Shehu dhe avokat Bestar Kolgeci dorëzuan në formë të shkruar kundërshtimet dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Pas kësaj, të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi u deklaruan lidhur me aktakuzën me të cilën po i ngarkon prokuroria.
Për të akuzuarin Arben, kjo aktakuzë ishte ngritur në bazë të supozimeve duke shtuar se gjatë intervistimit në Prokurori iu janë parashtruar pyetje ‘kapriçioze’ dhe sugjestive madje duke u pyetur edhe për llojin e veturës të cilën e vozisin.
Kurse, i akuzuari Shqipëron Krasniqi shtoi se kjo aktakuzë nuk përmbante elementet e veprës penale si dhe sipas tij nuk ka ndonjë palë të dëmtuar, andaj i njëjti kërkoi nga gjykata ta aprovoj kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Lidhur me kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës, gjykata do të marrë vendim të shkruar dhe të arsyetuar.
Sipas prokurorisë, Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi po akuzohen se në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.
Aktakuza, më tej shton se Shqipëron Krasniqi si përfaqësues i Komunës në procedurën jashtë kontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës në Prizren, nuk e kishte kundërshtuar propozimin e propozuesit V.J., për rregullimin e mezhdave kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit ku në këtë rast ngastra kadastrale – pronë e Komunës se Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale – pronë e propozuesit V. J., e gjitha kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata e Prizrenit të datës 30 janar 2019, bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V. J., pajisjet me leje ndërtimore ku i mundësohet ndërtimi i objektit banesor aneksi i ri “Euro Center”.