
Mytaher Haskuka lut gjykatën t’i shtyjë seancat për lëndët e komunës
Caktimi i masës së paraburgimit për dy zyrtarët ligjorë të Komunës së Prizrenit i ka nxjerrë telashe kësaj komune.
Kjo pasi që tash e disa ditë nëpër seanca gjyqësore po mungojnë përfaqësuesit e Komunës së Prizrenit në rastet kur Komuna është si palë e dëmtuar.
Më 17 janar, Gjykata e Prizrenit i ka caktuar masën e paraburgimit dy zyrtarëve që po dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Zyrtarët ligjorë të Komunës së Prizrenit nën arrest për 48 orë
Shefi i zyrës ligjore, Arben Krasniqi, dhe zyrtari ligjor, Shqipron Krasniqi, janë nën masën e paraburgimit nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në këtë situatë Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka i është drejtuar me një shkresë me lutje Kryetarit të Gjykatës së Prizrenit Ymer Hoxha.
Nëpërmjet kësaj shkrese, kryetari Haskuka i ka kërkuar Gjykatës që të shtyhet mbajtja e seancave gjyqësore lidhur me lëndët e komunës derisa të përcaktohet një alternativë nga Komuna e Prizrenit për përfaqësim ligjor.
Kjo zgjidhje, sipas Haskukës, do të bëhet brenda një afati sa më të shkurtër kohor, në mënyrë që zyra ligjore e Komunës të vazhdojë punën.
Dy zyrtarët e Komunës fillimisht ishin ftuar në prokurori për t’u marrë në pyetje, më pastaj ishin dërguar në stacionin policor ku atyre u ishte caktuar ndalim policor prej 48 orësh.
Prokuroria e Prizrenit po pretendon se zyrtarët ligjorë të ndaluar kanë lejuar këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë të dy të pandehurit në një kontest civil në asnjë seancë gjyqësore nuk e kanë kundërshtuar propozimin për shkëmbim të pronës, që sipas prokurorisë është në dëm të Komunës dhe që të njëjti pretendohet se nuk kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.