Mungojnë zyrtarët policor, ndërpritet seanca ndaj 13 të akuzuarve për kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan
13 të pandehurit në lidhje me akuzat për kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan, sot më datë 08.10.2024, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.
Në këtë rast për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Besart Malaj, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Milan Vidosavljeviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, ndërsa i akuzuari Dritan Hasimja për veprën penale – marrja e ryshfetit.
Nga ana tjetër, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen për veprat penale – kontrabandim i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.
Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, konstatoi se shqyrtimi gjyqësor do të fillojë rishtazi. Me arsye se njëra nga anëtarët e trupit gjykues Kimete Kicaj ka kaluar në Gjykatën Apelit.
Ndërsa, u bë e ditur se trupi gjykues është në krye me gjyqtaren Ajser Skenderi, kryetare e trupit gjykues, me anëtarët Teuta Krusha dhe Luan Berisha.
Pasi që palët nuk kishin vërejtje lidhur me përbërjen e trupit gjykues. Iu dha fjala të akuzuarve që të deklarohen për pranimin ose mos pranimin e fajësisë.
Të akuzuarit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka, Jeton Berisha, Milajn Vidosavljeviq, Artan Oseku, Driton Kurshumlija, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj, Lulzim Rexha, u deklaruan të pafajshëm në seancën e sotme para trupit gjykues.
Pas kësaj, lidhur me fjalën hyrëse, u deklarua edhe prokurorja e Shtetit Ervehe Gashi. E njëjta tha që mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më datë 20.01.2023.
Në anën tjetër, palët në këtë seancë propozuan që provat e administruara në seancat e kaluara të lexohen. Ky propozim erdhi nga mbrojtja e të akuzuarve.
Me ç’rast, prokurorja e shtetit Ervehe Gashi nuk e kundërshtoi propozimin e mbrojtësve.
Lidhur me këtë, trupi gjykues mori vendim që provat e administruara të lexohen.
Tutje u lexuan deklaratat e dëshmitarëve Sali Kalludra, Mentor Rexhepaj, Sefedin Jasiqi, Behar Murati, Muhamet Murati, Haki Mehmeti, Selim Morina, Roland Frrokaj, Sylë Zeneli dhe Sherif Havolli. Si dhe u lexuan provat materiale të seancës së datës 13.09.2023.
Seanca nuk vazhdoj tutje për shkak që nuk ishin prezent dëshmitarët – zyrtarët policor.
Pasi prokurorja Ervehe Gashi tha që policët sot, në seancën e datës 08.10.2024, nuk kanë mundur të vijnë për shkak të një plani operativ.
Në fjalën e saj, ajo i propozoi gjykatës që seanca e sotme të ndërprehet dhe të vazhdojë ashtu siç është planifikuar.
Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, tha se seanca do të vazhdojë në ditën e nesërme më datë 09.10.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prizrenit, të ngritur në qershor të vitit 2021, të pandehurit Besart Malaj, Dritan Hasimja, Ilir Bobi, Hekuran Dana, Dritëro Zeka-Roni, Jeton Berisha, Milan Vidosavljeviq, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë – si zyrtarë doganorë, 64 herë ua sigurojnë të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalimin e automjeteve të ngarkuara me duhan të grirë-refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këto thuhet se i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së doganës dhe TVSH-së së papaguar rreth 3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit me këto veprime në bashkëkryerje dhe vazhdimësi kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të akuzuarit Driton Kurshumlija dhe Dritan Hasimja gjatë muajit shkurt-mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë, kërkojnë përfitime për vete, për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre
Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019 kërkon nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 euro, për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi është më lirë nëse i dëmtuari i paguan 100 euro.
Po ashtu, i njëjti thuhet se më 31 mars 2019 kërkon nga i dëmtuari Mentor Rexhepi shumën prej 70 euro për kryerjen e zhdoganimit të mallit, duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.
Ndërsa, i akuzuari Hasimja më 03 shkurt 2019, thuhet se kërkon para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i janë të liruara nga dogana.
Aktakuza thotë se më 08 shkurt 2019, i pandehuri merr shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale – marrje e ryshfetit në vazhdimësi.
Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha akuzohen se në periudhën kohore 7 mars 2018 – 21 maj 2019, në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, pa leje përkatëse shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur duhan të grirë-refuz në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, filtër për cigare “Grande” – 1 milion e 300 mijë copë, filtër për cigare “Gentleman” – 400 mijë copë, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje në vazhdimësi akuzohen se kanë kryer veprat penale kontrabandim me mallra, veprën penale – shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore, si dhe veprën penale – tregti e ndaluar.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.